Trafikimi i qenieve njerëzore, Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe në KiE, çështje e një rëndësie të veçantë




Trafikimi i qenieve njerëzore, Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe në KiE, çështje e një rëndësie të veçantë

10:43 25/05/2022

Në “Forumin e Lirisë Ballkanike” me temë “Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan”, presidentja e Kosvës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova në më shumë se 60 % të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore, viktimat janë nën moshën 18-vjeçare teksa ka shtuar se gratë dhe vajzat janë viktimat kryesore të këtij trafikimi.

Vjosa Osmani: Adresimi i këtyre çështjeve duhet të jetë në fokus të bashkëpunimit tonë, i koordinimit tonë në rajon e përtej. Rreth 27 milionë gra, fëmijë e burra trafikohen në vit anë e mbanë botës. Gratë dhe vajzat kanë qenë në vazhdimësi viktimat kryesore të trafikimit, që nga viti 2008 kur edhe filloi mbledhja e të dhënava për trafikim të qenieve njerëzore nga ana e BE. Pothuajse ¾ e viktimave të trafikimit në BE janë gra dhe vajza, të cilat kryesisht trafikohen me qëllim të shfrytëzimit seksual. Fëmijët po ashtu dhe pjesa më e madhe e tyre janë vajza të reja të trafikuara për shfrytëzim seksual. Në Republikën e Kosovës, në më shumë se 60 % të rasteve të trafikimit, viktimat janë nën moshën 18 vjeçare. Ndërsa janë gratë dhe vajzat të cilat janë viktimat kryesore të këtij krimi. Si në Kosovë dhe në rajon, statistikat vijojnë të jenë të mangëta. Këto statistika flasin njëzëri, që fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është parakushti kryesor për luftimin e trafikimit të qenive njerëzore. Në raportin e trafikimit të njerëzve të vitit 2021 nga DASH, Kosova radhitet në vendin e 2 sepse kemi dëshmi të veprimit të shtuar të institucioneve në veçanti në drejtim të miratimit të procedurave të reja standarde, operative, por dhe në drejtim të rritjes së burimeve për mbrojtjen e viktimave.

Gjatë fjalës së saj, Presidentja e Kosovës Osmani ka thënë se Kosova ka hartuar strategjinë e re kundër trafikimit të qenive njerëzore, e cila pritet të miratohet së shpejti.

Vjosa Osmani: Përpjeket tona në vazhdimësi përfshijnë ndërmarrjen e hapave konkretë për parandalimin e këtij fenomeni. Kjo ndër të tjera edhe përmes themelit të autoriteteve të tjera shtetërore, të cilat kanë për mandate pikërisht themelimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve në raport me këto krime. Kosova ka hartuar strategjinë e re kundër trafikimit të qenive njerëzore, e cila pritet të miratohet së shpejti. Po ashtu, kemi Autoritetin Kombëtar të trafikimit të Qenieve Njerëzore si dhe Komisionin për Kompensimin e Viktimave. Më lejoni të jem e qartë se dënimet shumë të ulëta nga ana e gjytarëve për këto krime, dëshmojnë se kemi akoma dhe shumë e shumë punë për të bërë. Rrjetet e trafikimit po tregojnë nivele më të larta të profesionalizimit dhe të ekspertizës së tyre.

Të gjendur para një situate të tillë të trafikimit të qenieve njerëzore, Osmani ka bërë thirrje që anëtarësimi i Kosovës në organizata si Interpoli apo si Këshilli i Europës të bëhet një çështje e rëndësisë së veçantë.

Vjosa Osmani: Të përballur me një realitet të tillë, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare si Interpoli, bëhet një çështje e rëndësisë së veçantë. Do të duhet të ishte e qartë për të gjithë se anëtarësimi i Kosovës në Interpol nuk është vetëm një ambicie politike, në fakt është parakusht për suksesin tonë shoqëror për këtë krim. Nga i njëjti prizëm dua të shihet dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Renditja jonë përkrah kësaj organizate, do të fuqizonte përpjekjet tona për marrjen e masave të veçanta në kontekstin e identifikimit të viktimave dhe ofrimin e ndihmës për viktimat. Synimi ynë si Koosvë për anëtarësim në këto organizata është mbi të gjitha i lidhur drejtpërdrejti me përpjekjet tona për të luftuar krimin e organizuar, për të dëshmuar veten si një partner i besueshëm.  T’i thuash “jo” Kosovës në Interpol, në Këshillin e Evropës, do të  thotë t’i thuash “jo” luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore dhe t’i thuash “jo” garantimit të të drejtave të njeriut.

Në fund të fjalës së saj, presidentja e Kosovës Osmani ka thënë që në luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, duhet bashkëpunuar me njëri-tjetrin pa kompromise.

Vjosa Osmani: Trafikimi me qenie njerëzore nuk është vetëm një fenomen që duhet zhdukur, por duhet t’i shkatërrojmë zinxhirët e krimit. Në luftimin me qenie njerëzore duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin pa kompromis./tvklan.al













Të ngjashme