Një 38-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane. I riu kërkohej pasi kishte trafikuar një sasi të madhe droge.

“Mbi bazën e këtyre informacioneve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, së bashku me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit shqiptar Gj. Ll., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Për këtë shtetas, Gjykata e Hetimeve Paraprake e Romës, me vendimin nr. 54980/16 RGNR-24411/19 RG GIP, datë 18.11.2019 ka caktuar masën e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim”. Maksimumi i dënimit është 10 vjet burgim”.

Policia thotë se drejtësia italiane ka bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve, të këtij personi dhe të tjerëve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

38-vjeçari në rolin e ndërmjetësuesit, i ndihmuar dhe nga persona të tjerë, ka arritur t’i dorëzojë një shtetasi italian (trafikant droge), një sasi të madhe cannabis-i.

Draga është sekuestruar nga policia italiane, duke vënë para drejtësisë gjithë autorët e përfshirë në këtë aktivitet kriminal të kundërligjshëm./tvklan.al