Sshpallet në kërkim vëllai i tij

Policia e Pogradecit ka vënë në pranga një 35-vjeçar pasi ka goditur një rast të tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike jashtë vendit. I arrestuari është Adrian Papajanis, banues në fshatin Hudënisht.

I riu, së bashku me vëllain e tij, Fatjon Papajanis, 29 vjeç, trafikonin në mënyrë të paligjshme lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Këtë e kryenin duke përdorur kufirin liqenor të Ohrit.

Policia thotë se ka vënë në pranga vëllain e madh dhe se ka shpallur në kërkim të voglin. 35-vjeçari u arrestua në flagrancë, duke tentuar të trafikonte 1 kilogram kanabis. Droga u sekuestrua së bashku me një varkë, dy motora uji të tipit “Yamaha”, dy peshore elektronike, mjete të cilat përdoreshin nga vëllezërit në këtë veprimtari të paligjshme.

Nga ana e Policisë, po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim./tvklan.al