Trafikonin njerëz nga Lindja e Mesme, 6 persona në pranga



Trafikonin njerëz nga Lindja e Mesme, 6 persona në pranga

11:28 21/06/2020

Gjashtë persona janë vënë në pranga nga policia pasi merreshin me trafikimin e emigrantëve nga Lindja e Mesme drejt vendeve të BE-së. Hetimi ndaj këtij grupi nisi në vitin 2019 dhe zgjati për disa muaj.

Personat e arrestuar janë Ali Osmanaj, 36 vjeç; Mentor Isufi, 30 vjeç; Aida Velcani, 39 vjeçe; Anamaria Bengaj të katërt banues në Tiranë, si dhe Ardit Pinderi, 21 vjeç dhe Melinor Pinderi, 19 vjeç, të dy banues në Korçë.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë 9-mujore kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme në Greqi e Shqipëri deri në përcjelljen e tyre drejt kufirit me Malin e Zi dhe Kosovën, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Autoritetet kanë arritur të dokumentojnë 4 raste të trafikimit gjatë ndjekjes. Sipas të dhënave ata merrnin nga 100-300 euro për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës.

Tre prej personave të arrestuar, përkatësisht A. O., A. V. dhe M. I. janë kapur në flagrancë në afërsi të rrethrrotullit të TEG-ut duke transportuar me automjetet 5 emigrantë të paligjshëm nga Maroku.

Gjatë këtij operacioni policor janë mundur të sigurohen prova materiale të përfitimeve të këtyre personave nga kjo veprimtari kriminale, konkretisht: 12.000 euro, 1 milion lekë, një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, 10 aparate celularë, mandate tërheqjeje shumash monetare nga agjencitë e transfertave të parave, si dhe dy automjete që shërbenin për të transportuar emigrantët.

Materialet procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit’’ dhe “Armëmbajtja pa leje”./tvklan.al




Të ngjashme