Detaje të reja nga skema e trafikut të emigrantëve nga Lindja e Mesme

25 personat, shtetas shqiptarë dhe të huaj të zbuluar nga policia si anëtar të një grupi që merrej me trafikun e klandestinëve nga Lindja e Mesme, e kryenin aktivitetin duke përdorur taksi dhe makina me qira. Kjo praktikë e re, e trafikut të klandestinëve, u zbulua nga hetuesit, pas disa operacioneve të zhvilluara në qytete të Shqipërisë.

Referuar dosjes hetimore që Klan News disponon, për të kryer gjetjen e makinave me qira ishin përcaktuar Roland Ramadani, Petrit Pashaj dhe Indrit Hita. Rolet e tyre u zbuluan gjatë përgjimeve të komunikimeve të tyre të kryera në aplikacionin WhatsApp.

Për këtë arsye është marrë në pyetje S.Brahimi, pronar i një aktiviteti privat të lëshimit të automjeteve me qira, i cili ka deklaruar se në biznesin e tij shkojnë shumë persona dhe nuk i njihte trafikantët.

Për të mos u identifikuar, personat që ishin pjesë e skemës së trafikimit të emigrantëve të parregullt, bënin mbivendosje të targave të automjeteve. Një rast i tillë është i Enajd Muratajt, i cili kishte rol për ruajtjen e vendqëndrimeve të emigrantëve. Murataj, lëvizte me një makinë tip Smart që i kishte vendosur targat e një mjeti tip Ford Fiesta.

Mënyra tjetër është duke marrë taksi, dhe një episod i tillë është regjistruar në 16 korrik të 2020. Një shtetas egjiptian shprehet në polici se disa persona i kanë thënë se do t’i çonin në kufi, dhe i kanë marrë me taksi, nga 5 veta për automjet, dhe më pas i kanë mbledhur në një zonë pylli rreth 40 persona.

Rasti tjetër është kur 19 klandestinë të kapur kanë sqaruar se janë udhëzuar të marrin makinë me qira për të udhëtuar drejt Tiranës. Ata kanë paguar nga 100 euro për person dhe më pas kanë qëndruar 14 ditë në një banesë me shtetas arab. 18 prej 25 trafikantëve janë arrestuar dhe Gjykata e Posaçme i ka caktuar arrest me burg.

Klan News