Trafiku klandestin i emigrantëve nga Lindja e Mesme me destinacion Europën, është i pamundur të eliminohet. Deklarata vjen nga njëri prej trafikantëve të këtij rrjeti në një intervistë për Sky News. I riu i quajtur Mustafa u shpreh se rrjeti që trafikon emigrantë është i mirëstrukturuar dhe nuk mund të shkërmoqet, pavarësisht ndërhyrjes së fundit të vetë NATO-s që ka afruar luftëanijet pranë Detit Egjé.

Mustafa ,Trafikant i klandestinëve:

Trafiku i paligjshëm i emigrantëve nuk mund të ndalohet për sa kohë vetë emigrantët duan të trafikohen. Edhe Turqia ka tentuar disa herë të na ndalë, por ne jemi gjithmonë një hap përpara. Nëse policia na afrohet, e zgjidhim çështjen me disa qindra dollarë.

Trafikanti i intervistuar shprehet se është pjesë e këtij rrjeti prej 2 vjetësh dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë pasi është një biznes tejet fitimprurës. Mustafa thotë se grupet e trafikantëve fitojnë nga 650 deri në 750 euro për çdo person që transportojnë në Europë.

Qindra mijëra emigrantë kanë hyrë ilegalisht në Europë vitin e fundit, duke e çuar në kolaps sistemin e kufijve të hapur në Bashkimin Europian.

Tv Klan