Drejtuesi i SPAK Altin Dumani dhe shefi i sektorit të bashkëpunimit ndërkombëtar në SPAK morën pjesë në takimin e organizuar në Buenos Aires në datat 12 – 13 Prill 2023 nga Rrjeti kundër Drogës i Prokurorëve të Amerikës së Jugut, EUROJUST dhe EUROPOL, në kuadër të plaftormës EMPACT të Europol, prioriteti kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare me risk të lartë.

Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet prokurorëve të Amerikës së Jugut dhe Europës, nëpërmjet vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta, krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore (JIT), përdorimi i metodave speciale të hetimit, me synim goditjen e organizatave dhe rrjeteve ndërkombëtare me risk të lartë të krimit të organizuar qe merren me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Në takimin koordinativ morën pjesë përfaqësues të prokurorive homologe nga vendet e BE; Itali, Spanjë, Holandë, Belgjikë, Gjermani dhe Portugali, ashtu si dhe nga agjencitë e BE-së, EUROJUST dhe EUROPOL.

Gjithashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga prokuroritë homologe nga Amerika e Jugut, Argjentinë, Brazil, Ekuador, Kolumbi, Panama, Paraguaj dhe Kosta Rika.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të SPAK në këtë takim u mundësua nga projekti “Lufta kundër krimit të rëndë në Ballkanin Perëndimor”-IPA 2019.

SPAK ka prioritet luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në këto kushte pjesëmarrja në këtë takim ishte e një rëndësie të veçantë dhe shumë produktive. /tvklan.al