12 persona kanë gjetur vdekjen në një aksident ajror të ndodhur në Kosta Rika të dielën. Sipas amerikanes NBC News, viktimat janë 10 amerikanë, si dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Në mesin e tyre janë 5 anëtarë të një familjeje, të cilët kishin shkuar në Kosta Rika për pushime.

Avioni u rrëzua pak pas orës 12:00 me orën lokale, në Guanacaste, një provincë mjaft popullore për turistët. Autoritetet në Costa Rika thanë se avioni i përkiste një linje ajrore vendase, ndërsa sqaruan se për ngjarjen kanë nisur hetimet. Mbeten të paqarta rrethanat e ngjarjes dhe arsyet që çuan në rrëzimin e këtij avioni.

Dëshmitarë thanë se e kishin parë mjetin teksa po fluturonte në lartësi të ulët dhe papritur kishte rënë në anë të faqes së malit. Ata treguan se bëhej fjalë për një avion të vogël dhe se ato përdoren zakonisht për të udhëtuar nga njëri qytet në tjetrin për rreth 50 dollarë.

Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi për disa viktima me shtetësi amerikane, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

/tvklan.al