Turma përfshihet nga paniku, 44 viktima e 150 të plagosur

Ka përfunduar në tragjedi, një festë fetare e komunitetit ultra-ortodoks hebre natën mes të Enjtes dhe të Premtes. Të paktë 44 persona humbën jetën dhe mbi 150 të tjerë u plagosën në rajonin e Galilesë, aty ku dhjetëra mijëra besimtarë ishin mbledhur për të festuar ditën e shenjtë të Lag O’Bomerit, buzë malit Meron.

Në një shteg të ngushtë, të përcaktuar nga autoritetet për të drejtuar turmat e besimtarëve drejt hapësirës ku zhvillohej festa fetare, besimtarët u përfshinë nga kaosi për shkaqe ende të paqarta. Ata nisën të shkelnin njëri-tjetrin dhe pikërisht në këtë zonë, disa prej tyre humbën jetën nga asfiksia.

“Unë isha mes turmave, kishte 60-70 mijë njerëz, nuk kishe ku të lëvizje dhe njerëzit nisën të rrëzoheshin. Shumë prej tyre ranë”.

Disa dëshmitarë thanë se turma u përfshi nga paniku dhe shumë prej tyre nisën të vraponin kur u përhap fjala se ishte shembur një skelë. Të tjerë thanë se dëgjuan altoparlantët që bënin thirrje për t’u larguar dhe turmat nisën të vraponin pasi dyshuan për sulm terrorist. Kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti këtë një katastrofë të rëndë.

Festat masive fetare janë rikthyer sërish këtë muaj, pasi qeveria vendosi rikthimin e jetës normale prej suksesit me vaksinimin masiv anti-Covid.

Tv Klan