Të paktën 10 persona raportohet të jenë vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Kroaci. Mediat kroate njoftojnë se nga aksidenti kanë mbetur dhe 45 persona të tjerë të plagosur.

Po ashtu bëhet me dije se autobusi i aksidentuar është me targa të Kosovës dhe se vinte nga Frankfurti, dhe në të udhëtonin rreth 70 persona.

Aksidenti ka ndodhur në orën 06:20 të mëngjesit në autostradën afër Slavonski Brod. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar krerët më të lartë të policisë në Kroaci dhe shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galić, në një deklaratë për mediat ka dhënë dhe detaje.

 Galic u shpreh se kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet, por deri tani janë konfirmuar 10 viktima.

“Nuk mbaj mend tragjedi të tillë”, shefi i Policisë Rrugore në Kroaci: Autobusi ishte plot

Shefi i policisë së trafikut në stacionin policor Slavonski Brod, Franjo Galić, ka qenë ndër të parët që ka mbërritur në vendin ku u aksidentua autobusi me pasagjerë nga Kosova, që ishte duke ardhur bnga Frankfurti.

Në një deklaratë për mediat ai është shprehur se ka qenë në shumë aksidente, por nuk mbante mend nëse kahetuar ndonjë tragjedi të tillë.

Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i vështirë dhe mendoj se është një nga aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve”, tha ai.

Ai gjithashtu tregoi detaje për aksidentin duke thënë se ishte një autobus me targa të Kosovës në linjën e rregullt Frankfurt – Prishtinë.

Deri tani janë konfirmuar 10 viktima dhe 30 pasagjerë të tjerë janë dërguar në spital, ku po marrim ndihmën mjekësore.

Presidentja Vjosa Osmani: Lajm i rëndë për vendin tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për aksidentin tragjik që ka ndodhur këtë mëngjes në Kroaci ku kanë humbur jetën deri tani 10 qytetarë nga Kosova dhe 30 të tjerë janë plagosur.

Në një postim në mediat sociale, Osmani shkruan se ngjarje e sotme është një tragjedi dhe se ka pasur kontakte nga autoritetet kroate. Më tej kryetarja e shtetit në Kosovë njofton se institucionet do të jenë krah familjeve të përfshira në këtë aksident.

“Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë. Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë udhëtarë e shumë të tjerë janë lënduar.  Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë. Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”, shkruan Osmani.

Albin Kurti: Ministri i Brendshëm dhe ambasadori ynë janë nisur drejt vendit të ngjarjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me trishtim për tragjedinë e ndodhur sot në mëngjes në Kroaci, ku u aksidentua në autobusë me pasagjerë nga Kosova dhe humbën jetën 10 persona.

Në një postim në mediat sociale, Kurti shkruan se ende nuk janë njoftuar nga autoritetet kroate për detajet, por shton se Ministri i Punëve të Brendshme është nisur drejt Kroacisë.

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të këtë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit.

Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, shkruan Kurti në mediat sociale.

Basha: Të gjithë jemi të tronditur nga kjo ngjarje

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për tragjedinë e ndodhur sot në Kroaci. Në një postim në mediat sociale, Basha u shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Kroaci.

Më tej lideri i opozitës uron shërim të shpejtë për të plagosurit dhe thotë se nga kjo ngjarje janë tronditur të gjithë.

Me trishtim të thellë mora lajmin e rëndë të aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci, në të cilin sipas të dhënave të para ka viktima dhe të plagosur. I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!

Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve”, shkruan Basha.

Rritet bilanci i tragjedisë në Kroaci, shkon në 45 numri i të plagosurve

Autoritetet në Kroaci kanë dhënë detaje të reja lidhur me aksidentin e ndodhur sot në mëngjes ku humbën jetën 10 persona, pasagjerë nga Kosova.

Mediat vendase raportojnë se numri i të plagosurve ka shkuar në 45 dhe po vijon ende operacioni për nxjerrjen e pasagjerëve nga autobusi.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar krerët më të lartë të shtetit dhe po punohet intensivisht për t’u ardhur në ndihmë të gjithë të plagosurve.

Ndërkohë në Kosovë kanë reaguar Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, të cilët u kanë shprehur ngushëllimeve familjarëve të viktimave.

Ministrja Xhaçka: Me zemër e mendje jemi pranë familjarëve të viktimave

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme,Olta Xhaçka, ka reaguar për tragjedinë e ndodhur sot në Kroaci, ku është aksidentuar një autobus me pasagjerë nga Kosova dhe 10 persona kanë humbur jetën.

Në një postim në mediat sociale, ministrja shkruan se është shumë e trishtuar humbjet e jetëve dhe uron shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit.

“Keqardhje për humbjen tragjike të jetës së shtetasve kosovarë në Kroaci. Ndajmë dhimbjen me vëllezërit tanë dhe me zemër e mendje jemi pranë familjarëve dhe urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit”, shkruan Xhaçka.

Rama: Çfarë fatkeqësie pikëlluese

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për aksidentin tragjik në Kroaci ku humbën jetën 10 qytetarë nga Kosova dhe 45 të tjerë janë plagosur.

Kryeministri në një postim në mediat sociale, shkruan se tragjedia e sotme është një lajm pikëllues dhe shpreson që të plagosurit të shërohen sa më shpejt.

Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova💔Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëlime vëllazërore familjeve të viktimave😰”, shkruan Rama.

Detaje nga tragjedia në Kroaci, kush janë viktimat e aksidentit të rëndë

Detaje të tjera janë mësuar nga aksidenti tragjik në Kroaci. Mediat vendase raportojnë se në autobus ndodheshin 67 pasagjerë dhe dy drejtues të mjetit, ndër të cilët 9 prej pasagjerëve dhe një shofer humbën jetën.

45 pasagjerë janë dërguar në spitalin e përgjithshëm në Slavonski Brod ku po marrin ndihmën mjekësore. 8 nga këta kanë marrë dëmtime të rënda, 4 të tjerë i janë nënshtruar operacionit dhe pjesa tjetër ndodhen nën kujdesin mjekësor.

14 pasagjerë dhe një shofer ndodhen në komisariatin e policisë, por ende nuk janë marrë në pyetje pasi nuk janë në gjendje të flasin.

Në autobus ndodheshin gjithashtu 15 fëmijë, nga të cilët një vajzë ka marrë dëmtime të rënda. Aksidenti i ndodhur në orën 06:00 të mëngjesit është marrë nën hetim nga autoritetet.

Për aksidentin kanë ardhur reagime të shumta nga liderët në Kosovë e Shqipëri, të cilët kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e jetëve.

Tragjedia në Kroaci, Meta: Pasagjerëve të lënduar ju uroj shërim të shpejtë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për aksidentin tragjik në Kroaci, ku humbën jetën 10 qytetarë nga Kosova. Në një reagim në mediat sociale, shkruan se ndan dhimbje me familjet e viktimave dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Më tej kreu i shtetit falënderon autoritetet kroate, për kujdesin që kanë treguar për të plagosurit.

“Me trishtim të thellë përcolla lajmin e rëndë për aksidentin tragjik në Kroaci. Ndaj dhimbjen e madhe me familjet e viktimave dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Pasagjerëve të lënduar ju uroj shërim të shpejtë. Falenderoj autoritetet kroate, në veçanti për kujdesin shëndetësor të ofruar për të plagosurit”, shkruan Meta.

Arrestohet shoferi i autobusit: Më zuri gjumi nga lodhja

Policia e Kroacisë ka vënë në pranga shoferin e autobusit, i cili i mbijetoi aksidentit. Pas arrestimit ai ka deklaruar se e ka zënë gjumi nga lodhja.

Ndërkohë shoferi tjetër ka gjetur vdekjen, bashkë me 9 pasagjerë të tjerë. Deri tani autoritetet kanë njoftuar se janë plagosur dhe 45 persona të tjerë, mes tyre dhe të mitur.

Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në një autostradë në Kroaci.

Për aksidentin e rëndë kanë reaguar krerët më të lartë të shtetit në Kosovë dhe Shqipëri, ku kanë shprehur ngushëllimet për viktimat./tvklan.al