Humbin jetën 10 qytetarë nga Kosova, plagosen 44 të tjerë

Ishte ora 06:20 e mëngjesit të së dielës kur në policinë e trafikut rrugor në rajonin Slavonski Brod ne Kroaci mbërriti njoftimi se një autobus me pasagjerë kishte dalë jashtë rruge. Me mbërritjen e forcave të policisë dhe ndihmës së shpejt në vendin e ngjarjes u konstatua se autobusi ishte me targa të Kosovës dhe si pasojë e përmbysjes 10 persona humbën jetën, 44 të tjerë u plagosën, 8 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë në spital.

Në autobusin e linjës Frankfurt – Prishtinë po udhëtonin gjithsej 67 pasagjerë nga Kosova dhe dy shoferë. Mes viktimave mësohet se është edhe shoferi Naser Sylmetaj, i cili 30 minuta përpara aksidentit tragjik u këmbye me shoferin tjetër.  Brenda autobusit ndodheshin po ashtu edhe 15 të mitur, po fatmirësisht asnjë prej tyre nuk humbi jetën. Ndërsa më shumë detaje për situatën e të plagosurve dha ministri kroat i Shëndetësisë. 

“15 persona janë plagosur rëndë, 3 prej të cilëve janë duke ju nënshtruar një operacioni. Në autobus ka pasur edhe të mitur, mes të cilëve 1 vajzë është ka marrë më shumë lëndime. Pjesa tjetër janë duke u trajtuar, edhe është e mundur që disa prej tyre të diagnostikohen me dëmtime të rënda trupore”.

Drejtuesi i autobusit që i mbijetoi aksidentit u arrestua në vendngjarje. Ai deklaroi se nga lodhja e zuri gjumi për një moment, e pikërisht aty ka humbur kontrollin e autobusit. 30 minuta më herët pasagjeret dhe shoferet kishin bërë një pushim prej 45 minutash pranë qytetit të vogël kufitar kroat Bregana pas kalimit të kufirit slloven.

Shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galiç ishte i pari që shkoi në vendin e ngjarjes, ndërsa aksidentin e përshkroi si më të rëndin që kishte parë ndonjëherë.

Tv Klan