Humbja e një fëmije është e tmerrshme. Humbja e 7 fëmijëve? E paimagjinueshme.

Por ky është realiteti i hidhur me të cilën përballet familja Barho, pasi humbi të 7 fëmijët në një zjarr të rënë në banesën e tyre në Halifax, Nova Scotia të Kanadasë. Familja nga Siria kishte emigruar drejt Kanadasë në 2017-n, për t’i shpëtuar luftës civile që shkatërroi vendin e tyre.

Sipas CNN, zjarri ra orët e para të mëngjesit të së martës. Një prej fqinjëve tha se kishte dëgjuar një zhurmë të fortë, në momentin që kishte shpërthyer zjarri.

“Dëgjova një zhurmë të fortë, që pasoi me ulërimat e një gruaja. U çova me shpejtësi nga shtrati dhe pashë nga dritarja. E vetmja gjë që dukeshin ishin flakët e mëdha. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, shtëpia u përpi nga flakët

“, tregoi për CNN një prej fqinjëve.

Babai Ebraheim Barho mbeti i plagosur rëndë, teksa tentonte që të shpëtonte fëmijët e tij. Ai ndodhet në spital, në gjendje të rëndë. Nëna e tyre, Kawthar Barho nuk mori dëmtime, por është e dërrmuar nga humbja e fëmijëve të saj.

“Ajo nuk mund ta pranojë se çfarë ka ndodhur dhe vetëm përsërit emrat e fëmijëve të saj gjatë gjithë kohës dhe kërkon t’i shohë”,

tha një prej përfaqësuesve të shoqatës për refugjatët HEART, që e ndihmoi familjen kur mbërriti në Kanada.

Fëmijët u identifikuan në një postim në Facebook, nga xhamia ku do të mbahen varrimet e tyre. Ata janë Ahmed, 15 vjeç, Rola, 12 vjeçe, Mohammed, 10 vjeç, Ghala, 8 vjeçe, Hala, 4 vjeçe, Rana 3 vjeçe dhe Abdullah 4 muajsh.

Familja siriane u mirëprit nga shumë njerëz në Shtator të 2017-s, kur mbërriti në Kanada. Një video e familje Barho që zbriste nga shkallët ndërsa një turmë e vogël njerëzish i prisnin me dashamirësi, u bë virale në rrjetet sociale.

Për ngjarjen tragjike reagoi edhe Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i cili ka punuar për ta bërë Kanadanë një vend sa më mikpritës për refugjatët. Në një postim në Twitter, ai shprehu ngushëllimet e tij, duke thënë se

“fjalët janë të kota kur fëmijët merren nga ne”./tvklan.al