Ky është momenti kur fishekzjarrët e ndezur në skenën e klubit të natës “Puls” në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut i vunë flakën tavanit. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 të mëngjesit të kësaj të Diele. Edhe pse flakët ishin të dukshme, grupi muzikor maqedonas DNK që kishte mbledhur mbi 1500 persona në sallë vijonte performancën.

Përhapja e flakëve ishte e menjëhershme pavarësisht përpjekjeve të stafit për fikjen e tyre. Në videot e publikuara në rrjetet sociale dëgjohet më pas një nga anëtarët e grupit muzikor u kërkon të pranishmëve të dalin jashtë sepse do të kthehen sërish. Por jo të gjithë mundën të dilnin në kohë. Sipas të dhënave, 59 persona kanë humbur jetën dhe mbi 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe që po marrim trajtim në spital. 3 viktima janë të mitur, ndërsa 20 prej tyre janë të lënduar. Viktimë ka mbetur edhe një punonjës policie.

Marija Taseva, një nga të mbijetuarat nga zjarri, por që humbi motrën nga kjo tragjedi rrëfen momentet e tmerrit.

“Zjarri shpërtheu, të gjithë filluan të bërtisnin:“Dil jashtë, dil jashtë!”, por fatkeqësisht kishte vetëm një dalje dhe brenda kishte 1500 njerëz. Pastaj të gjithë filluan të shtyjnë njëri-tjetrin, kështu që unë u drejtova për në dalje. Nuk e di si, por përfundova në tokë, nuk munda të ngrihesha dhe në atë moment njerëzit filluan të më shkelnin. Nuk e di si, por disi arrita të dal. Tani jam mirë, por ka shumë të vdekur. Është e tmerrshme!”


Ndërsa ky prind ka humbur fëmijën e tij të vetëm.

“S’kam ç’e dua më jetën!”

Mbi 80 nga të plagosurit janë në gjendje më të rëndë, 27 prej tyre janë dërguar për kurim në Turqi dhe Greqi. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se arrestuan 15 persona, duke shtuar se janë 20 persona të dyshuar rreth ngjarjes. Në mesin e tyre është edhe ish-Sekretarja shtetërore e Ministrisë së Ekonomisë, Razmina Çekiç nga LSDM, e cila sipas ministrit të Brendshëm ka falsifikuar licencën për lokalin ku ra zjarri.

“Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Publike dhe me të gjitha organet tjera, po punojmë hap pas hapi për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie. Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike po siguron dokumentacionin në ministrinë e Ekonomisë për diskotekën në fjalë.”

Kryeministri Hristijan Mickoski e konsideroi këtë ngjarje një ditë të rëndë për Maqedoninë e Veriut. Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli 7 ditë zie për këtë tragjedi. Ndërsa ka ngarkuar Inspektoratin Shtetëror të Tregut që brenda 3 ditëve të ardhshme, të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme në kabaretë, klubet e natës dhe diskotekat në gjithë vendin.

Gjithashtu ka aktivizuar mekanizmin e asistencës ndërkombëtare për mbështetje në këtë situatë të rëndë për vendin.

Tv Klan