Dy persona, nënë e bir, u vranë gjatë natës në rrethana misterioze, në lagjen “1 Maji” në Vlorë, në afërsi të pyllit të Sodës.

Fillimisht u njoftua se Selkie dhe Olsi Hoxhallari humbën jetën si pasojë e flakëve që ranë në shtëpinë e tyre.

Por më vonë policia nisi hetimet për vrasje, pasi nga ekspertiza mjeko – ligjore u konstatuan shenja dhune në trupat e tyre.

Grupi hetimor dyshon se dy viktimat janë qëlluar me mjete të forta dhe më pas autorët i kanë vënë flakën shtëpisë së tyre për të humbur gjurmët.

Në fytin dhe qafën e gruas 73-vjeçare janë gjetur shenja dhune. Ndërsa djali i saj 43 vjeç ka disa plagë në kokë.

Policia e Vlorës u njoftua rreth orës 04.00 të mengjesit nga bashkëshortja e 43-vjeçarit e cila deri në orën 23:00 të së shtunës kishte qëndruar në të njëjtën dhomë me të.

Më pas kishte rënë për të fjetur në dhomën tjetër së bashku me djalin e saj.

Ajo ka treguar në polici se është zgjuar nga zjarri dhe se nuk ka dëgjuar zhurma të tjera në shtëpi.

Në pyetje janë marrë edhe nusja e vëllait të Olsi Hoxhallarit, i cili ndodhet në burg. Janë pyetur edhe dy vajzat e saj. Nga të dhënat e para mësohet se mes kunatës dhe 43–vjeçarit ka pasur një konflikt, por ajo ka mohuar përfshirjen në ngjarjen e ndodhur gjatë natës.

Megjithatë, policia nuk përjashton asnjë pistë hetimore, përfshirë atë të krimit në familje.

Familja Hoxhallari është më origjinë nga Korça dhe prej 15 vitesh jetonte në lagjen “1 Maji” në afersi të pyllit të Sodës.

Tv Klan