Foshnja e hequr nga barku i nënës së tij ndërroi jetë këtë të premte, për shkak të një dëmtimi të rëndë në tru. Yovani Jardiel Lopez u nxor nga barku i nënës së tij 19-vjeçare Marlen Ochoa-Lopez, pasi kjo e fundit u vra brutalisht. Ngjarja e rëndë ndodhi në Chicago, Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 23 Prill.

Pasi vranë nënën e re, njëra prej vrasësve pretendoi më pas se bebja ishte e saj. Për ngjarjen e rëndë, autoritetet arrestuan nënë e bijë Clarisa dhe Desiree Figueroa, të cilat akuzohen për vrasje të shkallës së parë.

Në daljen e parë të të pandehurave në gjykatë, prokurorët e çështjes dhanë detaje makabre për vrasjen e 19-vjeçares Marlen.

Adoleshentja ishte në muajin e 9 të shtatzënisë dhe ajo u vra herën e dytë që vizitonte shtëpinë e dy femrave, të cilat i kishin ofruar veshje falas për beben.

Marlen kishte shkuar për herë të parë në shtëpinë e Figueria-ve më 1 Prill për të marrë veshje për beben, pasi Clarisa e kishte postuar ofertën e saj në një faqe për nënat e reja.

Por Marlen arriti të shpëtonte pa e ditur planin makabër, pasi i dashuri i Desiree, 40-vjeçari Piotr Bobak kishte refuzuar që të merrte pjesë në vrasje.

Marlen u rikthyer më 23 Prill, kur Bobak nuk ndodhej aty. Vrasja u krye nga Clarisa dhe Desiree. Ato vendosën fillimisht muzikë me volum të lartë. Desiree e hutoi Marlen me një album fotografik dhe gjatë kësaj kohe, nëna e saj Clarisa i shkoi viktimës nga pas dhe e mbyti me një kabull elektrik.

Marlen u përpoq të luftonte, por nuk ia doli dhe pas 4-5 minutash vdiq.

Pas kësaj Clarisa mori një thikë dhe i çau barkun, duke i marrë beben bashkë me placentë. Më pas njoftoi emergjencën duke u thënë se sapo kishte lindur dhe bebja nuk reagonte. Ndihma e shpejtë e dërgoi atë me urgjencë në spital, pa parë trupin e Marlen në shtëpi./tvklan.al