Trupat e viktimave do mbërrijnë pas disa ditësh

Dy prokurorëve bullgarë dot në Shkup  u është dorëzuar materiali i ADN-së nga familjarët e viktimave në fatkeqësinë e autobusit në Bullgari, gjë që pritet ta përshpejtojë procesin e identifikimit dhe trupat e viktimave brenda disa ditëve të sillen në vend. Paralelisht me hetimin, për arsyet e përplasjes dhe ndezjes së autobusit të udhëtarëve, Prokuroria Publike në Shkup ka hapur hetim edhe për shkeljet tjera të kompanisë Besa Trans, Doganës dhe institucioneve të tjera të cilat kanë lejuar që autobusi pa dokumentacion të rregullt të kalojë qindra herë në kufijtë ndërkombëtarë.

Dy përfaqësues të Institutit për Mjekësi Ligjore në Shkup do të udhëtojnë drejt Sofjes që të ndihmojnë në identifikimin më të shpejtë të viktimave në autobusin e djegur të Besa Trans dhe në 3 – 4 ditët e ardhshme mbetjet mortore të 45 udhëtarëve të mbërrijnë në vend. Për nevojat e hetimit prokurorëve bullgarë u janë dhënë edhe procesverbalet e seancës dëgjimore të 8 dëshmitarëve për fatkeqësinë, dokumentacioni i kompanisë  organizatore e udhëtimit dhe dokumentacioni i autobusit. Hetimi në vend zgjerohet edhe në subjekte të tjera.

“Ne gjithë këtë e vërtetojmë, ndoshta ka falsifikim të dokumenteve të caktuara, gjithë këtë prokuroria e analizon. Ju siguroj se për cilido qoftë person të bëhet fjalë, në qoftë se në veprimet e tij ka elemente të veprës penale, prokuroria do të ngre procedurë adekuate dhe të gjithë do të përgjigjen në pajtueshmëri me ligjin. Autobusi më shumë se 100 herë për periudhë të shkurtër e ka kaluar kufirin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por me dokumentacionin e njëjtë ka hyrë në kufijtë e vendeve të tjera, në Bullgari, në Turqi. Gjithë kjo është lëndë e hetimit të Prokurorisë Publike.”

Joveski theksoi se pronari i kompanisë Besa Trans ka qenë në dispozicion për hetimin menjëherë pas fatkeqësisë, kur është marrë dokumentacioni dhe kompjuterët nga zyrat e kompanisë. Prokurorët bullgarë para gazetarëve në Shkup nuk deshën të paragjykojnë deri kur do të zgjasë hetimi në Bullgari, as nuk kanë dhënë detaje nëse do të kërkohet përgjegjësi nga institucionet bullgare për shkak të sinjalizimit të papërshtatshëm në rrugë.

“Hetimi vazhdon, nga fatkeqësia kanë kaluar vetëm pesë ditë. Kur do t’i kemi përfundimet nga ekspertiza, kur do të jenë gati të gjitha përfundimet atëherë do të mund të gjejmë ndonjë zgjidhje. Për ta parë sa sinjalizimi i keq, siç u shprehët ju, lidhet me arsyet e aksidentit të komunikacionit. NUk mund të parashikoj afate, kjo është katastrofë e madhe, me shumë viktima, lënda është me kompleksitet të madh faktik – juridik.”

Krahas gjetjeve të para të hetimit në Bullgari se autobusi nuk ka kontrabanduar lëndë djegëse ose mjete piroteknike, analiza e detajuar duhet të japë përgjigje më të saktë për arsyet e zjarrit të automjetit.

“Hedhje poshtë në mënyrë kategorike e parashikimeve se ka transportuar benzinë ose ka pasur mjete eksplozive, për momentin nuk mund të thuhet me siguri, por nga kontrollet e kryera nuk janë zbuluar materiale ose mbetje eksplozive. E përsëris se puna e kimistëve, teknikëve të zjarrit, së bashku me ekspertët auto-teknikë vazhdon intensivisht.”

Hetimi për fatkeqësinë e rëndë vazhdon, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, siç njoftoi prokurori Joveski, krahas 8 personave që janë marrë në pyetje, në mesin e të cilëve edhe pronari i Besa Trans, do të thirren edhe shumë persona të tjerë.

Tv Klan