Një ngjarje tragjike ndodhi të enjten në ishullin Evia të Greqisë. Tre elektricistë humbën jetën pasi u goditën nga rryma elektrike. Mes viktimave ishte edhe një shqiptar. Sipas mediave greke bëhet fjalë për një 45-vjeçar, baba i 3 fëmijëve.

45-vjeçari dhe 2 elektricistët e tjerë nuk patën asnjë mundësi që të shpëtoheshin. Nga ngjarja ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër. Ngjarja e rëndë ndodhi 50 metra larg sheshit qendror të fshatit, në sy të dhjetëra banorëve të cilët panë gjithçka çfarë ndodhi.

“Personi në shtyllë humbi jetën menjëherë. Edhe ata që ndodheshin poshtë tij. Fatkeqësisht askush nuk mundi t’i ndihmonte. Personi në shtyllë u var për dy orë. Një punonjës i vinçit edhe pse u godit nga rryma mundi të dërgohet në spital”, tha një banor për mediat greke.

Sipas tij, 45-vjeçari vdiq në një mënyrë shumë tragjike.

“Njerëzit filluan të bërtisnin. 45-vjeçari me origjinë shqiptare u godit nga rryma elektrike në shtyllë. Ai përjetoi një vdekje tragjike sepse pasi e goditi elektriciteti rrobat i morën flakë duke e djegur në kokë”, tha ai.   

Pas kësaj ngjarje të rëndë, autoritetet kanë arrestuar 3 persona për neglizhencë.

“Është e qartë që ka pasur neglizhencë në këtë rast. Kjo po hetohet nga komiteti që ka arritur në pikën që të përcaktojë shkakun e saktë të aksidentit. Nga të dhënat e para, nga ora 8:00 e deri në orën 10:18 të mëngjesit, linja u ndërpre. Pasi mbaruan punën, energjia u rikthye, por është e sigurt se puna vazhdoi pa asnjë arsye. Incidenti ka ndodhur në orën 14:00 të pasdites ku punonjësit u goditën nga rryma rreth 20 mijë volt. Nuk dihen arsyet se pse kanë vazhduar punën elektricistët. Ndoshta kanë qenë të tensionuar për shkak të punës së madhe që mund të kishin gjatë fundjavës dhe për të përfunduar sa më shpejt. Për fat të keq fundi ishte fatal”./tvklan.al