Eitan Biran është marrë peng nga gjyshi dhe është dërguar në Izrael pa dëshirën e tij

Nga tragjedia e ndodhur në Itali, ku u rrëzua teleferiku dhe la pas 14 viktima, i vetmi që i mbijetoi ishte një djalë i mitur. Eitan Biran, fëmija 6-vjeçar izraelit që mundi t’i shpëtonte fatkeqësisë, është rrëmbyer nga gjyshi i tij Shmuel Peleg.

Mediat italiane bëjnë të ditur se ishte tezja e të miturit i cili e konfirmoi rrëmbimin. Gjyshi ka kryer një vizitë për të parë Eitanin e vogël dhe duhej ta kthente te tezja e tij, por kjo gjë nuk ndodhi.

Në aksident, djali i vogël humbi të dy prindërit, vëllain e tij dhe stërgjyshërit që kishin ardhur për ta vizituar në Itali. Fatkeqësisht, pas tragjedisë, Eitan përfundoi në një luftë për të marrë kujdestarinë ligjore të tij. Fëmija, pas një shtrimi të gjatë në spitalin Regina Margherita në Torino po shërohej i ndjekur nga psikologët. I vogli  iu besua tezes së tij Aya Biran, një mjeke 41-vjeçare që jeton në Pavia së bashku me burrin e saj dhe dy fëmijët.

Transferimi u bë “kundër vullnetit të kujdestarit ligjor të fëmijës dhe në kundërshtim me dispozitat e autoriteteve italiane“, tha Armando Simbari, avokati përfaqësues i tezes së të miturit.

Kjo e fundit informoi menjëhere autoritetet për zhdukjen e tij. Policia italiane zbuloi se Eitan ishte larguar nga Italia në bordin e një avioni privat me gjyshin e tij, i cili posedonte pasaportën izraelite të të miturit. Më vonë burimet diplomatike konfirmuan edhe mbërritjen e tyre në Izrael.

Klan News