Një djalë, i cili humbi babain dhe njerkun në aksidente rrugore, humbi gjithashtu jetën pasi i preu rrugën një makine. Nëna e 12-vjeçarit Katie Tolley, nga Britania, duke folur në një seancë gjyqësore mbi vdekjen e të miturit, tregoi për dhimbjen e madhe pas humbjes së djalit të saj Taylor Swift në aksidentin tragjik.

Humbja e tij është tragjedia e tretë që prek këtë nënë. Babai i djalit, Stuart Swift vdiq në një aksident rrugor 12 vjet më parë në Carnaby, Yorkshire, ndërsa njerku i tij, Andy Tolley, vdiq në një aksident të tmerrshëm me motor në 2018-n, në Bempton.

Katie Tolley dhe bashkëshorti i dytë Andrew Tolley

Gruaja tregoi sesi kishte shkuar me një frymë në vendngjarje, kur kishte mësuar se 12-vjeçari ishte përfshirë në një aksident në Bridlington.

“Humbja e Taylor ma ka ndryshuar përgjithmonë jetën“, tha nëna e tij.

Taylor kishte dalë me miqtë e tij pas shkolle 15 Shkurtin e vitit të shkuar, kur ndodhi aksidenti tragjik. Ai po kthehej në shtëpi kur doli në rrugë nga pas një autobusi të parkuar, me kokën e ulur poshtë, pa parë makinën që po i vinte përballë.

Ai u dërgua me urgjencë në një spital në Leeds, ku vdiq si pasojë e plagëve të rënda një ditë më pas.

Për aksidentin tragjik, autoritetet dolën në konkluzionin se nuk ishte faji i askujt. Sipas tyre, shoferi i makinës kishte qenë me shpejtësi të ulët dhe nuk kishte pasur mundësi që të evitonte përplasjen. /tvklan.al