Policia është vënë në kërkim të një personi të dyshuar për vrasjen dhe më pas djegien e Selkie dhe Olsi Hoxhallarit, nënë e bir në banesën e tyre në Vlorë.

Burime të Tv Klan nga grupi i hetimit thanë se personi që po kërkohet është banor i zonës, ku jetonin viktimat. Për arsye hetimi identiteti i tij nuk bëhet publik, por dyshohet se shënjestra e tij ishte 43-vjeçari, i cili kishte plagë në kokë.

Ekspertët kanë vënë re se vatra e zjarrit ishte pikërisht pranë trupit të Hoxhallarit. Me shenja dhune në qafë u gjet edhe trupi i nënës së tij 73-vjeçare.

Burime nga policia konfirmuan se ka pasur të paktën 5 persona të shoqëruar. Ata janë marrë në pyetje për të hedhur dritë mbi motivet e krimit. Janë duke u verifikuar disa pista që lidhen me konflikte brenda familjes, por edhe me aktivitetin e Hoxhallarit.

Ceremonia mortore është zhvilluar paraditen e së hënës në praninë e një numri të paktë personash. Të njohur të tyre thonë se nuk kanë dijeni të konflikteve të hapura të tyre. Në pyetje janë marrë edhe disa familjarë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Tv Klan