Këto janë momentet e panikut të shkaktuar brenda një diskoteke në Ankona, që përfundoi në tragjedi me të paktën 6 viktima dhe rreth 100 të lënduar, 12 prej tyre në gjendje kritike për jetën. Viktimat janë 5 adoleshentë të moshës 14 deri në 16 vjeç dhe një grua që kishte shoqëruar të bijën në koncertin e këngëtarit Sfera Ebbasta.

Shkak i ngjarjes së rëndë u bë një spraj djegës i përdorur për vetëmbrojtje, i hedhur nga një prej të pranishmëve. Situata degjeneroi në çast në një shtypje masive, me të rinjtë që tentonin të dilnin nga diskoteka.

“Për një moment ndjemë sikur diçka po digjej dhe rendëm të gjithë drejt daljes, pamë disa djem që ranë përtokë, të shtypur nga të tjerët që dilnin të terrorizuar”,

ishte kjo dëshmia e njërit prej të rinjve brenda lokalit të natës.

Autoritetet italiane urdhëruan bllokimin e diskotekës dhe nisën menjëherë hetimet. Përdorimi i sprajve djegës në Itali është një ngjarje jo e rrallë dhe e denoncuar shpesh nga mediat vendase për rrezikun që sjellin mes të rinjve.

Tv Klan