“Tërmeti vrastar godet Shqipërinë”

Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar gjerësisht gjendjen e krijuar në Shqipëri nga lëkundjet e fuqishme të tërmetit, që deri më tani i kanë marrë jetën 16 personave dhe kanë lënduar rreth 600 të tjerë.

Mediat italiane i kanë kushtuar vëmendjen kryesore kësaj situate, duke publikuar në faqet online foto dhe video të operacioneve për kërkimin e të mbijetuarve në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara në Durrës dhe Thumanë.

Siç shkruan ‘La Repubblica’, lëkundjet e fuqishme janë ndjerë në gjithë jugun e Italisë deri në Napoli. Citohet Kryeministri italian Giuseppe Conte, i cili ka urdhëruar menjëherë dërgimin e ndihmave me avion nga Italia për Shqipërinë.

Tërmet vrastar e quajnë mediat greke atë të orëve të para të kësaj të marte. Edhe në mediat e vendit fqinj pasqyrohen gjerësisht pasojat e lëkundjeve në Shqipëri si dhe ndihmat e ofruara nga Kryeministri dhe ministri i Jashtëm grek për qeverinë shqiptare. Situata është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat britanike, franceze e gjermane.

Tv Klan