avioniUshtarakët rusë pretendojnë se një avion ushtarak ukrainas po fluturonte krahas avionit të Malaysia Airlines, ditën e tragjedisë që i mori jetën 298 personave. Ky fakt u bë i ditur nga gjenerali rus Andrej Kartopolov, gjatë një konference për shtyp në Moskë. Faktet ai i mbështeti tek disa filmime të qendrës së monitorimit nga ajri të ushtrisë në Rostov.

Andrey Kartopolov, zyrtar i ushtrisë ruse: “Një avion luftarak ukrainas është pikasur teksa fluturonte në një distancë prej 3 deri 5 kilometrash nga Boingu i Malaysia Airlines. Do donim një shpjegim, pse një avion ushtarak po fluturonte përgjatë një korridori ajror civil në të njejtën kohë dhe lartësi me një avion pasagjerësh”.

Gjenerali rus nuk ngriti asnjë alibi për këtë rast, por nxorri në dritë edhe një detaj tjetër. Ai tha se një satelit amerikan që lëvizte në orbitën e tij, mbi hapësirën ku fluturonte avioni Boing MH-17, mund të kishte xhiruar të gjithë ngjarjen. Ndaj dhe kërkoi nga Uashingtoni publikimin e pamjeve satelitore, të fiksuara prej tij.

Kartopolov hodhi gjithashtu dyshime se raketat BUK, që pretendohet se kanë goditur avionin, i përkisnin ushtrisë ukrainase.

Këtë ai e bazon po tek pamjet satelitore, të publikuara në konferencën për shtyp, ku shfaqeshin lëvizjet e raketahedhësve të ushtrisë së Kievit, drejt zonave nga ku pretendohet se është qëlluar avioni.

Por pavarësisht këtyre pretendimeve Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë të mos pengojë në hetimin e çështjes. Presidenti amerikan Barak Obama u tregua mjaft i ashpër ndaj homologut të tij Putin në një dalje për mediat. Ai akuzoi Kremlinin se po lejon shkatërrimin e provave nga separatistët në lindje të Ukrainës. Obama i bëri thirrje që Moskës, të bashkëpunojë në një hetim të përbashkët ndërkombëtar për zbardhjen e rrethanave të kësaj tragjedie.

Barak Obama, President i SHBA: “I bëj thirrje Rusisë të lejojë qasjen e menjëherëshme dhe të plotë, në vendin e tragjedisë. Ndalimi i hetuesve ndërkombëtarë për të hyrë në atë zonë nga separatistët filo-rusë, shtron pyetjen: Çfarë saktësisht po përpiqen të fshehin ata?”.

Më herët Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, urdhëroi ndalimin e çdo aksioni ushtrak në një rreze prej 40 kilometrash nga vendi i tragjedisë.

Poroshenko ka ftuar zyrtarisht ekspertë nga Malajzia, Gjermani, Britania, Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Rusia të formojnë grupin që do të marrë përsipër këtë hetim.

Ndërkaq, pamjet e grumbullimit të kufomave të tragjedisë në një tren frigoriferik kanë ngjallur shqetësim dhe reagime të ashpra.

Në terren, një grup ekspertësh hollandezë mbërritën në stacionin e trenit ku po mbahen trupat e rreth 200 pasagjerëve të avionit. Ata nisën punën për identifikimin e kuformave, pasi 193 persona në bordin e Boingut ishin shtetas hollandezë.

TV KLAN