Tërmeti që shkaktoi një tragjedi të vërtetë në Shqipëri la pas edhe histori që të lënë pa fjalë. 30-vjeçarja Djena Karanxha u nxorr e gjallë nga pallati në Durrës, por fatkeqësisht ndërroi jetë në spital.

Për shumë orë, Djena Karanxha ka mbajtur pranë vetes trupin e pajetë të vajzës së saj. E vogla 8-vjeçare Esiela Karanxha u largua nga kjo botë 2 orë para së ëmës. Djena një piktore, më parë kishte humbur edhe bashkëshortin e saj.

“Mendoja gjithmonë që Zoti më kishte dhënë shumë lumturi duke pasur një shok dhe një bashkëshort si Dori im, por jeta qenka një sprovë e vërtetë. Më mungon shumë bebi im”, shkruante ajo në një mesazh drejtuar atij.

Djena dhe vajza ishin zhvendosur tek prindërit e saj për shkak të frikës nga tërmetet. Deri më tani, i gjallë është i ati i Djenës, ndërkohë që e ëma e saj mbetet nën rrënoja.

“Një familje që u shua e gjitha. Një nënë dhe një vajzë 8-vjeçare, një baba që kishte ikur më parë nga jeta. Ka humbur edhe nënën e saj dhe deri tani evidentohet i gjallë babai i saj”, tha drejtuesi i emisionit “Opinion” për këtë ngjarje të trishtë. /tvklan.al