Një ngjarje shokuese ka ndodhur në Greqinë fqinje disa ditë më parë, ku një vajzë 14-vjeçare sulmoi me thikë të ëmën. Mediat greke raportojnë sot se ngjarja e rëndë ka ndodhur në Kaminia. Ishte ora 02:00 e mëngjesit të së enjtes së kaluar, kur vajza 14-vjeçare u ngrit nga shtrati dhe shkoi në kuzhinë ku mori një thikë 23 centimetra. Më pas shkoi drejt dhomës së ndenjies, aty ku flinte mamaja e saj dhe nisi ta godiste me thikë. E ëma filloi të bërtiste dhe nga britmat u zgjua vajza tjetër e saj. Kjo e fundit vrapoi drejt sallonit dhe i hoqi thikën nga dora motrës së saj binjake.

Në vendngjarje mbërriti policia dhe ambulanca, që ishin njoftuar nga vajza tjetër. Gruaja u dërgua me urgjencë në spital pasi kishte pësuar 12 plagë thike; 3 në krahun e majtë, 1 në shpatull, 2 në gjoks, 4 në pjesën e barkut dhe 2 në shpinë. Ajo qëndroi në spital për disa ditë ku u mbaht në kujdes intensiv, ndërsa aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Në prani edhe të psikologes, policia shoqëroi vajzën 14-vjeçare për ta marrë në pyetje lidhur me këtë ngjarje të rëndë. E mitura ishte tronditur dhe ka thënë se nuk mban mend asgjë. Motra e saj binjake u tha hetuesve se 14-vjeçarja po luante me video-lojëra deri në orët e vona të natës. Policia e ka lënë të lirë me kusht 14-vjeçaren, ndërsa oficerët e policisë nga Dapartamenti i të Miturve që po hetojnë ngjarje, thonë se janë të shokuar nga ky rast.

Sipas mediave greke, kjo është një familje e rregullt dhe jo problematike, bazuar edhe në dëshmitë e fqinjëve. Edhe pse prindërit janë të divorcuar, babai i vajzave mban kontakte të vazhdueshme dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me to. Për më tepër, 14-vjeçarja që goditi me thikë të ëmën, është nxënëse me rezultate të larta në shkollë. Historia e rëndë tronditi opinionin publik në Greqi, kurse 14-vjeçarja vazhdon të insistojë se nuk i kujtohet asgjë nga veprimet e saj. /tvklan.al