Pa u mbyllur ende jehona e aksidentit tragjik të Velipojës, një tjetër ngjarje e rëndë raportohet në Bulqizë. Policia e Dibrës njoftoi se një aksident ka ndodhur në hyrje të fshatit Trebisht, në kufi me Maqedoninë, ku si pasojë e daljes nga rruga të një automjeti tip Opel, kanë humbur jetën 3 persona, mes tyre një motër e vëlla, ndërsa një tjetër është plagosur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14.00 të së enjtes. Sipas burime zyrtare, viktimat janë Azem Karabrahimi, 21 – vjeç, i cili dyshohet të ketë qenë drejtues i mjetit, por ende e papërcaktuar nga grupi hetimor.

Ka humbur jetën edhe motra e tij, Elena Bajrami, rreth 32 – vjeç, të cilët po ktheheshin pas një vizite mjekësore në Maqedoni.

Viktimë e aksidentit ka mbetur edhe 55 – vjeçari Musa Nuredini, kushëri me viktimat e para, ndërsa Gentjan Sula, 27 – vjeç ndodhet i plagosur, jashtë rrezikut për jetën, në spitalin e Dibrës së Madhe në Maqedoni. Sipas policisë, Sula është hedhur nga makina në momentin që ajo ka dalë nga rruga.

Të katër pasagjerët janë nga fshati Ostren i Vogël. Policia thotë se shkak i aksidentit është shpejtësia tej normave të lejuara. Në vendin e aksidentit kanë shkuar forcat e policisë dhe ekspertët, të cilët do të përcaktojnë shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Tv Klan