Zhvillohet seminari për trajnerët e akademive me lektorë të dërguarit e Citysens

Në Shtëpinë e Futbollit u zhvillua seminari për trajnerët e akademive të futbollit të zonës së Tiranës dhe Durrësit, ku lektorë ishin dy trajnerët e ardhur nga akademia e Manchester City-t, Gavin Rhodes dhe Andy Smith.

Organizatorët e këtij seminari ishin “Dyrrah City Football Academy” në bashkëpunim me Manchester City FC si edhe me mbështetjen e FSHF-së.

Të pranishëm ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku së bashku me Zv.Ministrin e Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha.

Shulku tha se është një risi ardhja e Manchester City në Shqipëri, që tregon se futbolli në vendin tonë është zhvilluar shumë.

“Është një risi ardhja e Manchester City në Shqipëri që do t’i shërbejë shumë zhvillimit të futbollit në vendin tonë. Federata e Futbollit është gjithmonë e hapur dhe do të mbështesë të gjitha bashkëpunimet edhe me akademitë e tjera, sidomos të këtyre niveleve. Dyert tona janë të hapura për bashkëpunim dhe për çdo lloj ndihme që do të kërkohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Kjo tregon që futbolli shqiptar është në rrugën e duhur, është zhvilluar shumë dhe jo më kot Manchester City ka ardhur në Shqipëri, ka parë që futbolli po zhvillohet, po ecën përpara dhe jo rastësisht kemi shkuar edhe në Europian, me ndeshje dinjitoze dhe të përfaqësohemi shumë mirë në Europian, që është ëndrra e të gjithë shqiptarëve.”

Ndërsa, Zv.Ministri i Arsimit dhe Sportit, vlerësoi bashkëpunimin me FSHF-në dhe tha se është një mundësi e mirë për t’i treguar akademive si duhet të funksionojnë për të arritur sukses.

Klan News