Tirana humb me Laçin. Kukësi merr Mirel Josën

Mosmarrëveshjet me Presidentin Refik Halili kanë shkaktuar largimin e papritur të trajnerit Nevil Dede nga Tirana. Gjithçka ndodhi vetëm pak minuta para takimit me Laçin në kryeqytet dhe skuadra u drejtua nga drejtori teknik Tefik Osmani. Vetë Halili nuk zbulon detaje, por konfirmon debatet me trajnerin.

“Unë kam patur një bisedë me trajnerin para se të largohej dhe i kemi mbyllur gjërat”.

Halili nuk tregoi as arsyet e përplasjes edhe pse përflitet se shkak ka qenë formacioni me të cilin bardheblutë do të zbrisnin në fushë.

“Sa herë kam folur mua më ka kushtuar nga ana financiare. Të flasë një herë trajneri, pasi thonë kur është shkarkuar dhe vijnë për paratë te Halili apo te klubi. Të flasë një herë Nevili dhe pastaj flasim bashkërisht”.

Sa i takon ndeshjes bardheblutë e humbën 1-0 sfidën me Laçin të cilët e shohin këtë fitore si një pikë kthese.

“Kjo kthesë ndaj Tiranës ishte shumë pozitive dhe në aspektin e rezultatit dhe të lojës”.

Lëvizje ndërkohë edhe te Kukësi, pasi Mirel Josa është zyrtarizuar si trajneri i ri. Ai ka firmosur për 1 vit e gjysmë, ndërkohë Rraman Hallaçi do të jetë ndihmësi i tij.

Rivalët e Kukësit, Teuta me Partizanin barazuan 1-1 në sfidën e luajtur në Durrës dhe që mbylli javën e 16. Asani shënoi për të kuqtë në minutat e para. Po në pjesën e parë durrsakët barazuan me Krasniqin. Diferenca me Vllazninë kryesuese mbetet 9 pikë.

Tv Klan