Reagimi i trajnerit Ndue Tarazhi ndaj lojtarëve të tij pas përfundimit të ndeshjes shkaktoi mjaft zhurmë në media dhe në opinionin publik.

Një video, e cila u bë virale ditë më parë në rrjetet sociale, tregonte se si trajneri ushtronte dhunë ndaj tyre.

“Historia ime” në Tv Klan nën drejtimin e Mirela Milorit trajtoi pikërisht këtë video dhe dhunën e lojtarëve nga trajneri.

Për të folur për këtë rast në studio kanë qenë të ftuar: psikologia Lindita Hoxha, trajneri i vjetër Vasil Bici , trajneri i ri Ermal Tahiri, dhe përgjegjësi për drejtorinë e sportit në Kurbin Isuf Myrtaj.

Vasil Bici: Duhet ndarë në dy kapituj, për të diskutuar personazhin që e shohim aty në ekran dhe gjestin. Është një gjest krejtësisht i dënueshëm dhe e ka kryer një personazh, i cili ka bërë një kala të madhe në sportin e Laçit, një organizator dhe një njeri iniciator i sportit në Laç që në vitet ’60 dhe deri sot. Kam pasur fatin të punoj me të, kam qenë trajner në një periudhë në Laç, ai ka qenë organizator i klubit, nuk e kam parë ndonjëherë në detyrën e trajnerit. Detyra e trajnerit ka specifikë të veçantë sepse e ka emocionin direkt dhe ka njerëz që i përmbajnë emocionet, i rezervojnë dhe ka njerëz që nuk i përballojnë dot dhe shpërthejnë.

Mirela Milori: Megjithatë justifikohet dhuna? Unë e kuptoj që është futboll tek e fundit nuk është balet..

Vasil Bici: Është element i dënueshëm thashë dhe nuk justifikohet kurrsesi. Aty është proces edukativ nuk është proces dhune. Në momentin ku hyn dhuna, edukimi merr fund nuk ka më edukim të gjeneratës. Fëmijët shkojnë për t’u edukuar aty dhe edukimin e marrin edukim fizik, profesional të rritjes së cilësisë së futbollit dhe edukim qytetar.

Mirela Milori: Ermal si është ky raport tani sepse ndoshta flasim për një metodë të vjetër, një mënyrë të shkolluari të vjetër apo disiplinë sportive të vjetër? Si është ky raport tani?

Ermal Tahiri: Për hir të vërtetës, Ndue Tarazhi e njoh si emër sepse është shumë i madh dhe është shumë vite, jo vetëm për sa i përket drejtimit, por edhe sportit, ose anës së trajnerit. Është një nga figurat që ka nxjerrë shumë lojtarë për sa i përket Laçit dhe Kurbinit në përgjithësi. Është një trajner që është marrë me të gjitha llojet e moshave, nga moshat e vogla deri në moshat e mëdha të U19. Për hir të së vërtetës nga ana metodike dhe didaktike, kjo është e pafalshme. Nuk mundet që një trajner të mësojë një fëmijë të vogël në këtë lloj mënyre. Kjo është njëra anë, ana tjetër ka shumë baza. Ana emocionale, ana e presionit, ana e shumë gjërave të tjera..

Mirela Milori: Çfarë ndodh me këta fëmijë kur shohin që dhunohen në komunitetin e tyre?

Lindita Hoxha: Është pak ofenduese, por..

Mirela MiloriI lë shenjë?

Lindita Hoxha: Shenjë.. Më shumë më lart është kjo e sportit, të marri më shumë nga trajneri dhe jo kjo… Kjo është dorë e dytë i themi ne. Por emocionet janë të momentit dhe duhet të kenë dhe këshillime psikologjike para ose në mes të ndeshjes, ose kur bëjnë pushimet e veta. Nuk shoh që në skuadrat tona të kemi psikolog.

Ermal Tahiri: Kemi dy pika siç e shoh unë. Pika e parë është vijueshmëria. Si ka qenë ky trajner gjatë gjithë kohës, e ka moment pune apo ndodhi në një moment të caktuar..

Mirela Milori: Pa njohur fare emrat e përveçëm, aty ka dhunë.. Është e rëndë apo jo?

Isuf Myrtaj: Do kisha dashur së bashku me miqtë e mi, të flisnim për një kolloz të futbollit në Laç, siç është Ndue Tarazhi, por fatkeqësisht jemi këtu për të goditur fenomenin. Është një moment i cili duket sikur meriton një fletë rrufe, por profesor Tarazhi ka një jetë, i gjithë aktiviteti futbollistik i Laçit, Kurbinit lidhet me emrin e tij që në Kurbin lidhet me emrin “Bajlozi”.

Mirel Milori: A është normale që në vijueshmëri të jetë ky komunikim me futbollistët?

Isuf Myrtaj: Ne si zonë andej mund të kemi edhe një raport të lidhur trajner-futbollist-prind duke evidentuar faktin që ndonjë prind besoj, domethënë po paragjykoj në sensin e mirë, mund t’i ketë thënë profesorit: Shiko fëmijën tim nëse nuk ecën mirë edhe pse ia tërheq pak veshin nuk ka asgjë të keqe. Kjo nuk e zvogëlon atë veprimin që ka bërë profesor Tarazhi.

Qytetarët e Laçit e mbrojnë trajnerin përballë akuzave për dhunë ndaj lojtarëve duke e konsideruar njeri shumë të mirë dhe aspak të dhunshëm. Sipas tyre incidenti mund t’i ndodhë çdokujt./tvklan.al