Gjermani i ofendoi rivalët afrikanë të sportistit që trajnonte gjatë garës

Trajneri gjerman që i bërtiti gjatë një gare çiklizmi në Olimpiadë sportistit të tij që të arrinte rivalët “shoferë devesh”, u dërgua në shtëpi.

Komiteti Olimpik Gjerman mori vendimin që trajneri Patrick Moster të largohej nga Tokio 2020 pasi shkeli vlerat e eventit.

Fjalët e tij u konsideruan raciste dhe ngjallën shumë reagime. E thirrura e Moster-it u dëgjua gjatë një transmetimi direkt në televizionin gjerman dhe komentatori u befasua nga kjo mënyrë të shprehuri.

Vetë çiklisti Nikias Arndt u distancua nga qëndrimi i trajnerit të tij dhe shtoi se të tilla fjalë janë të papranueshme.

Ai ishte duke u përpjekur të arrinte gjatë garës rivalët e tij, eritreasin Amanuel Gebreig-zabier dhe algjerianin Azedin Lagab.

Edhe vetë trajneri protagonist kërkoi falje për këtë incident. Ai u shpreh se asnjë atlet i një kombësie tjetër nuk duhet të ofendohet dhe se u shpreh gabim për shkak të tensionit të garës.

Klan News