Manastirliu: Dyfishojmë ekipet, shtojmë 36 autoambulanca

Rritja e rasteve me koronavirus që vetëizolohen ka nxjerr në pah domosdoshmërinë e dhënies së ndihmës mjekësore në banesë. Nga Shërbimi i Urgjencës Kombëtare, Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se këtë shërbim do e ofrojnë ekipet e urgjencës.

“Dyfishojmë ekipet e terrenit të Urgjencës Kombëtare, për t’u përballuar edhe me një sfidë tjetër, që është sfida e trajtimit në banesë sipas protokolleve të reja që po miraton Komiteti Teknik i Ekspertëve për trajtimin në shtëpi të rasteve ambulatore. Edhe 36 autoambulanca të reja do t’i shtohen Urgjencës Kombëtare brenda vitit për të garantuar një shërbim më të mirë, më të shpejtë për qytetarët, sidomos në situatën e epidemisë”.

Urgjenca Kombëtare po vijon trajnimet për ekipet mjekësore.

“Në momentin që pacienti përkeqësohet ose në momentin që pacienti ka marrë një kurim të përcaktuar nga specialisti mund të bëhen trajtime në banesë. Prej 3 vitesh ne kemi setin e plotë të urgjencës dhe i kemi të gjitha pajisjet”.

Gjatë ditëve të fundit po vihet re një rritje e lehtë e numrit të thirrjeve në numrin unik të urgjencës kombëtare 127. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 1700 thirrje dhe janë kryer 45 misione në banesë, nga të cilët 22 janë dërguar në spital dhe 23 janë trajtuar në banesë.

Tv Klan