Presidenti Ilir Meta ka reaguar mbi një shkrim lidhur me tregun e zi të shitjes së oksigjenit në këtë kohë të pandemisë së COVID-19.

Nëpërmjet një postimi në rrejtin social Facebook, Meta shprehet është e rrezikshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të pacertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë.

Më tej ai ka bërë apel që të “ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikshme për shëndetin publik”.

“Mostrajtimi me oksigjen i të prekurve nga koronavirusi dhe lënia e tyre në mëshirën e spekulantëve të tregut të zi është e pafalshme. Rëndimi i situatës shëndetësore të shumë të sëmurëve deri në kërcënim të jetës, i detyrohet mostrajtimit të tyre në kohë me oksigjen. Për këtë është këmbëngulur, që trajtimi me oksigjen teknikisht të certifikuar të kryhet nga mjeku i familjes dhe të mos pritet shtrimi në spital. Edhe projektet ndërkombëtare të ndihmës anti-covid kanë synuar pikërisht këtë: Trajtimin sa më parë nga shërbimi mjekësor parësor me oksigjeno-terapi të të sëmurëve. Është e rrezikshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të pacertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut. Të ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikshme për shëndetin publik. Përgjegjësit para ligjit!”, shkruan Meta në postimin e tij./tvklan.al