Pjesë e emisionit “Rudina” në Tv Klan, ka qenë aktori i humorit dhe moderatori i emisionit “Stop”. Ai ka rrëfyer për periudhën e vështirë që kaloi kur u infektua me Covid-19 dhe humbjen e të atit po ashtu nga ky virus.

Ndër të tjera ai ka folur edhe për punën si moderator tek emisioni “Stop”. I pyetur nga moderatorja Rudina Magjistari se ku e gjen ai dhe Saimir Kodra gjithë atë humor edhe në tema shqetësuese, Zenelaj shprehet se sarkazma dhe humori janë niveli i fundit i revoltës.

Rudina Magjistari: Ku e gjeni atë humor me Saimirin se ndërkohë problemet që trajtoni janë probleme shqetësuese që aty shumëkush edhe mund të qajë në momentin që i sheh. Ku e gjeni këtë lloj humori, nga buron?

Gentian Zenelaj: Kemi qarë dhe ne, shqetësohemi dhe ne, por sarkazma dhe humori është niveli më i fundit i revoltës. Temat ne i trajtojmë me sarkazëm, ndonjëherë humori është kleçka për ta mbajtur tjetrin para ekranit. Kanë filluar të më shqetësojnë aksidentet, vrasjet, sulmet, çdolloj ngjarje e rëndë dhe ndoshta duhet shfrytëzuar humori që njerëzit të rrinë para ekranit dhe të marrin qoftë edhe qasjen pozitive. Për shembull ne na lumturojnë videot që na sjellin me fëmijët e vegjël që shohin siglat hapëse, mbyllëse, që qeshin me batutat tona. Unë mendoj që humori është tharmi i jetës.

Rudina Magjistari: Janë të gjitha improvizime ato që bëni aty apo janë të menduara më herët?

Gentian Zenelaj: Atë që shohin njerëzit, ashtu është edhe është e gjitha improvizim. /tvklan.al