“Ballkani i Hapur nuk ka pronar”

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka folur për herë të parë për mediat dhe këtë ka zgjedhur ta bëjë gjatë vizitës së tij në Kosovë. Në një intervistë për RTK-në nga shtëpia e lidhjes së Prizrenit, Kreu i Shtetit theksoi nevojën që e bashkëpunimit më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës për të mbrojtur dhe promovuar interesat e shqiptarëve.

“Ajo që u diskutua në të gjitha takimet kishte të bënte me faktin që përqasja mbarëkombëtare për interesa kombëtare të kombit shqiptar, për çështje të caktuara, ne duhet të kemi qëndrime të njëjta”.

Në këtë aspekt ai foli edhe për propozimin që mori nga homologia e tij Vjosa Osmani për krijimin e një traktati mbrojtje mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kuvendet respektive janë ato të cilat do të vendosin mbi fushën e bashkëpunimit”.

Presidenti i Shqipërisë u pyet edhe për nismën që ndan deri më tani Shqipërinë dhe Kosovën dhe që ka të bëjë me Ballkanin e Hapur, për të cilët tha se shtetet duhet të marrim më shumë kohë.

“Ballkani i Hapur nuk ka ndonjë personalizim apo pronar. Them se nëse përfitojnë të gjitha vendet është shumë e duhur”.

Begaj nuk nguroi të tregohet i hapur kur tha se nuk kishte arritur t’i bashkonte krerët e partive politike në Kosovë në një tryezë, ndërsa sqaroi edhe incidentin me takimin me kreun e LDK-së.

“Unë këto takime doja t’i mbaja në atë që është tempulli politik i një vendi, që është Kuvendi i atij vendi. Dhe në rastin konkret ftesa ime ka qenë mjaft e sinqertë”.

Kreu i Shtetit nuk preferoi të komentojë zhvillimet politike në Shqipëri, ndërsa tha se nuk do të qëndrojë neutral ndaj kujtdo që do të prekë interesat e shqiptarëve.

Tv Klan