Nxënësit kanë mundësi gjatë gjithë vitit të parë të gjimnazit që të kalojnë në arsimin profesional. Dy ministrat përkatës, Blendi Gonxhja i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si dhe Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu nënshkruan një udhëzim që të mundësojë këtë lëvizje.

 “Firmosim sot një udhëzim të përbashkët, që mundëson transferimin dhe regjistrimin e nxënësve përgjatë gjithë vitit në arsimin profesional. Ky udhëzim, është një tjetër instrument në paketën e reformës të arsimit profesional në garancinë që ne krijojmë, së pari që nxënësit të shkojnë aty ku kanë prirjet. Së dyti, i krijojmë lehtësi dhe një mbështetjetë madhe familjeve, të cilët do ta kenë më të lehtë të dinë se ku do t’i orientojnë fëmijët e tyre”

Sipas ministrit Gonxhja, Arsimi profesional është një mundësi e artë për të rinjtë pasi ofron punësim të shpejtë dhe mundësi për të zhvilluar më tej karrierën e tyre akademike.

 “Për vitin mësimor 2024-2025 është arritur një numër rekord i regjistrimit në klasën e 10-të me rreth 4400 nxënës, plus 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti me parë. Regjistrimet janë të hapura deri ne 30 shtator ndaj ky event do na ndihmonte që të bënim edhe njëherë thirrjen që kush ka për t’u regjistruar, të regjistrohet.”

Këtë vit arsimor në shkollat e vendit janë shtuar edhe mësuesit koordinatorë të këshillimit të karrierës, të cilët do të luajnë një rol kyç në orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional që nga klasa e gjashtë.

Klan News