Transferimi i parave të bankave vazhdon të jetë i bllokuar, pas refuzimit të Austrian Airlines, të vetmes linje ajrore që bënte transportin e Cash-it.

“Akoma është e pamundur që të dërgojmë para jashtë. E vetmja mundësi është që të dërgojmë nga Kosova ose Greqia, por dhe kjo nuk është aq e lehtë. Një ditë pas grabitjes disa banka ndaluan së pranuari para, por ramë dakord të japi shërbimin dhe mos çrregullojmë tregun”,

thotë Silvio Pedrazzi

,

Kryetar i Shoqatës së Bankave.

Kreu i Shoqatës së Bankave sqaroi në një takim me gazetarët se bankat janë të interesuara për të zgjidhur çështjet e sigurisë, e se do pranojnë çdo rregull që do të vendosin autoritetet.

“Ne jemi gati të zbatojmë çdo gjë që vendoset nga autoritetet kompetente, por ajo që presim është efektiviteti, jo vetëm fjalë, por efektivitet”.

I pyetur se si do të zgjidhet problemi i rifillimit të transportit të “Cash”-it dhe siguria e parave, Silvio Pedrazzi tha:

“Ne po lutemi! Kur kompania ajrore na tha që do ndërpres shërbimin, ne e pamë veten të zhveshur!”

Shoqata e Bankave është në një fazë të avancuar për të rilidhur marrëveshje për transportin e parave me kompaninë ajrore, por kjo do të bëhet nëse merren masa shtesë sigurie në Rinas. Pedrazzi sqaroi se negociatat janë në një fazë të avancuar, e se duhet të gjendet një zgjidhje përpara nisjes së sezonit turistik, përndryshe do të kishte probleme për sistemin bankar, pasi në atë periudhë tregu ka një shtesë të ofertës për Euro.

Tv Klan