Veliaj: Platforma jonë në këto 215 ditë është puna

Një bllok banimi në Njësinë 7 është rikonstruktuar plotësisht nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj e konsideroi këtë një premtim të mbajtur, ndërsa sqaroi se banorët që preken nga projekti i Unazës do të marrin kompensim ose një strehë.

“Platforma jonë në këto 215 ditë është puna, puna, puna! Tashmë kemi negociuar dhe e kemi marrë kredinë, do të fillojmë punimet. Kush ka letra, do të marrë kompensimin sipas të gjitha rregullave të shtetit dhe vlerës së tregut. Kush ka nevojë për strehim, do të ndërtojmë në buzë të projektit të ri, por jo në buzë të Lanës, por të rrugës së projektit të ri, pallate dhe banesa për të akomoduar të gjithë ata banorë që do ikin nga një favela në buzë të Lanës”.

Duke iu referuar rasteve të denoncuara nga Partia Demokratike, Kryebashkiaku Veliaj siguroi se të gjithë atyre që banesat ju dëmtuan nga tërmeti do t’u paguhet qiraja deri sa të marrin shtëpitë.

“Teksa PD rrëmon këto raste të gënjeshtërta dhe i përdor mish për top, kam një pyetje: Po për njerëzit e ndershëm do flasim ndonjëherë? Nëse alternativa që kanë është gjumi, pushimet e stërzgjatura, Holanda, 4 vilat që mori gjatë kohës së tërmetit, pasuria që shtuan gjatë kohës së pandemisë, ku të gjithë njerëzit u tkurrën, dhe spekulimi me mashtrues të vegjël, atëherë më mirë t’i thonë lamtumirë edhe Tiranës, edhe listave, se s’kanë asnjë shans. Tirana nuk pranon programe mashtrimi si ai që kishim në mandatin 2011-2015”

Sa i takon konceptit lëvizës në Rrugën e Durrësit, ai do të jetë me një sens, me tre korsi për mjetet dhe një për biçikletat.

Tv Klan