Teksa inspektoi përfundimin e punimeve në lagjen e re pranë ish-Kombinatit “Misto Mame”, kryebashkiaku Veliaj garantoi se projekti i radhës që do të inaugurohet është ai i Unazës së Re.

“Nuk ka asnjë dyshim që do të bëhet autostrada e ‘Astirit’ dhe nuk ka asnjë dyshim që ajo autostradë do t’i nxjerrë të gjithë fitues. Disa do t’i nxjerrë fitues, duke u shpronësuar dhe duke i marrë paratë ‘kesh’ në dorë, disa do t’i nxjerrë fitues, duke qenë në kufi të asaj prone do të ketë zhvillime dhe secili do të marrë përqindjen e tij të zhvillimit”.

Lagjia e re në zonën e ish-Kombinatit është transformuar në një zonë me rrugë të rregulluara, gjelbërim dhe hapësira të mjaftueshme për komunitetin.

“Jam shumë krenar për skuadrën që ka punuar këtu. Kishte a s’kishte fushatë, ishte shi apo piku i vapës, është punuar me shumë dinjitet, në një nga komunitetet më të mira të Tiranës, që njihet si “Misto Mame”.

Punimet që përmirësojnë jetën e 25 mijë banorëve të zonës kanë prekur 22 rrugë.

Tv Klan