I ftuar ditën e sotme në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ka qenë fotografi David Cuka, i cili ka folur për bullizmin që kalon në përditshmëri. Ai gjithashtu ka cekur edhe tema të tjera, ku njëra prej tyre ka të bëjë me shërbimet mjekësore për transgjinorët.
Duke u nisur nga eksperienca e tij personale, Davidi shprehet se në Shqipëri nuk njihet terapia hormonale dhe se atij i duhet të shkojë jashtë vendit për ta kryer këtë procedurë.
David Cuka: Është diçka, që ne gjithmonë përpiqemi të shikojmë personat e tjerë që nuk e kanë pranuar, por asnjëherë nuk flasim për palën tjetër, që përpos gjithë dhunës, qoftë fizike, emocionale që përjetojmë gjatë gjithë kohës, harrojmë të përfshijmë… Atëherë po flas për komunitetin transgjinor, që nuk janë të mbrojtur me ligj, nuk mund të marrin shërbimet mjekësore. Pra, problemet e komunitetit transgjinor…
Katerina Trungu: Shërbimet mjekësore përse nuk mund t’i marrësh?
David Cuka: Sepse nuk është ende e mundur të nisësh terapinë hormonale në Shqipëri. Nuk e njeh. Pra, në qoftë se dikush tjetër mund të shkojë dhe të marrë një shërbim mjekësor sepse i duhet ose e ka të nevojshme, mund ta marrë. Pra dua të them që, ne jemi gjithmonë duke parë atë pikëpamjen ‘o po të na pranojnë’. Ose për fëmijët, kush mendon për fëmijët që janë transgjinor dhe që nuk e kanë atë hapësirën e mirëkuptimit. Mua më ka qëlluar me shumë prindër gjatë punës time, që kam fotografuar, që më janë referuar dhe më kanë thënë: ‘vajza ime ose djali im nuk e ndjenë veten ashtu dhe më thotë dua të vesh fustan’. Janë disa pika të caktuara. Pra, ajo çka dua të them është që kjo, sensibilizimi dhe vizibiliteti që ky komunitet duhet të ketë, duhet të shkojë përtej shoqërisë nëse do na pranojnë ose jo. Okay për shembull, unë jam në terapi hormonale dhe përse unë si një qytetar që vendosa të vij vetë të jetoj në Shqipëri me dëshirën time të plotë, pse unë duhet të udhëtoj nëpër shtete të tjera për t’u kujdesur për shëndetin tim. /tvklan.al