Ambasadorët e vendeve donatore, pjesë e Komitetit Shtetëror

Për të dëshmuar se çdo qindarkë e taksapaguesve të huaj dhe atyre shqiptarë do të shkojë për rindërtimin dhe s’do të ketë asnjë abuzim, nga kjo javë pjesë e Komitetit Shtetëror të Rindërtimit do të jenë dhe ambasadorët, vendet e të cilëve renditen tek donatorët më të mëdhenj.

Kryeministri në mbledhjen e kësaj të mërkure kërkoi koordinim mes tyre që të adresohen fondet aty ku ka nevojë pasi shumë prej donatorëve e kanë vendosur vetë sektorët ku duan të përqëndrohen.

Për Ramën në këtë proces ajo që ka rëndësi primare është shpejtësia që njerëzit të kthehen sa më parë në strehat e tyre. Dhe këtu, jo pa ironi, nënvizon procedurat e tejzgjatura që ka BE.

Por ambasadori Soreca e ka parë si sfidë deklaratën e Kryeministrit dhe e informon se javën e ardhshme do të lëvrohet fondi prej 15 milionë Eurosh, ndërsa brenda 3 javësh do të mblidhen në Bruksel për të qartësuar procedurat dhe afatet.

Ju po na sfidoni si BE dhe ne na pëlqen kjo gjë. Na pëlqen oferta e ministrit Ahmetaj për pjesëmarrje në strukturën e rindërtimit, dhe do të kemi strukturë ekspertësh në Komitetin Shtetëror të Ndërtimit. Po ka afate kohore që duhen realizuar, megjithatë ne punojmë ditë e natë për t’u siguruar që gjërat të funksionojnë”.

Po me ironi, Rama i kujton Sorecës dhe procesin e integrimit.

“Ju thoni 3 javë, por ne kujtojmë në të shkuarën që e kemi mbajtur veshur kostumin më të mirë dhe kemi pritur me atë veshur”.

Ministri i Rindërtimit, i cili prezantoi projektin e rindërtimit përpara donatorëve, garantoi për transparencë dhe në këtë plan ai premton një raport periodik për ecurinë e tij për çdo donator.

Tv Klan