Një grup specialistësh po hetojnë ngjarjen e mbrëmjes së të shtunës, ku u plagosën pesë persona në Levan dhe në Spitalin e Fierit. Në këtë hetim është perfshire edhe roli i policit, të cilit iu mor arma nga brezi dhe u qëllua mbi një person.

Deklarata e kryepolicit të Fierit vetëm pak minuta pas ngjarjes, ku foli për dy të plagosur me armë zjarri, ka ngritur pistat e para të dyshimit për fshehje gjurmësh.

Një ditë më pas, zyrtarisht u tha për vetëm një të plagosur me armë zjarri, duke lënë pa sqaruar nëse ishte gabim i policisë apo paaftësi në menaxhimin e situatës. Ende nuk ka asnjë informacion për rezultatin e këtij hetimi.

Ndërkaq, lidhur me rolin e policit në këtë ngjarje, burime nga Spitali i Fierit thanë se dy efektivët qe u angazhuan me shoqërimin e të plagosurve të Levanit ndodheshin në spital për verifikimin e një aksidenti rrugor.

Në kohën kur njëri prej tyre po shoqëronte Aldo Zhapajn në ashensor, tjetrit që ndodhej në hyrje të korridorit iu mor arma nga Gazmend Braçi, i cili qëlloi mbi babain Aldo Zhapajt, Aleksandër Zhapaj.

Ky i fundit paraditen e kësaj të hëne u dërgua në Tiranë për mjekim më të specializuar. Gjatë transportimit ai është shoqëruar edhe nga policia dhe është në kujdesin e mjekëve . Në këtë ngjarje 5 persona u plagosën dhe 5 u arrestuan. /ABC News Albania 24/7