Tre persona janë vënë në pranga në dy raste të ndryshme në qarkun e Korçës, të cilët transportonin emigrantë të paligjshëm nga Lindja e Mesme.

31 refugjatë u ndaluan, të cilët synonin të kalonin ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në pranga ranë A.H. 37 vjeç dhe R.E. 18 vjeç, pasi transportonin me furgon 12 emigrantë kundrejt shpërblimit monetar. Ata u ndaluan në aksin rrugor Bilisht-Korçë.

Ndërsa në rastin e dytë u ndalua një 24-vjeçar nga Tirana me iniciale R.V. Ai u kap në dalje të qytetit të Pogradecit duke transportuar me mjetin “Hyundai”, 19 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”. /tvklan.al