Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 2”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i E. T., 19 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë dhe S. L., 18 vjeç, banues në Krujë.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, me dy mjete do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, është organizuar puna dhe është bërë e mundur lokalizimi i mjeteve dhe arrestimi në flagrancë i dy të rinjve që në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në afërsi të vendin e quajtur “Kthesa e Jorgucatit”, u kapën duke transportuar 5 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, me mjetet autoveturë tip “Audi A3” dhe “Mercedes Benz”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, 2 aparate celularë dhe 870 euro.

Ndërkohë në Korçë u kap një tjetër i ri, po për dhënien e ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

32 vjeç, D. M.,  banues në Korçë u kap nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Pogradec-Librazhd, pranë vendit të quajtur “Lumi i Tërhanit”, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Benz”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt fitimit 215 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”./tvklan.al