Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë në dy raste të ndryshme për transport të refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Kështu, janë arrestuar S.L. 20 vjeç, S. Y. 20 vjeç, E. D. 22 vjeç dhe F. F. 21 vjeç të cilët u kapën në dalje të qytetit të Maliqit, duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetet tip “Range Rover” dhe “Benz”, 21 emigrantë të paligjshëm. Ata u kishin marrë 500 Euro çdo emigranti me premtimin se do t’i kalonin drejt vendeve të Bashkimit Europian.

20-vjeçari me iniciale S. L. ka rezultuar person i shpallur në kërkim më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve kryer në bashkëpunim” në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 05.08.2020, në unazën e qytetit të Pogradecit, ku në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, tashmë të arrestuar, po transportonin 3 emigrantë të paligjshëm.

Ai ishte gjithashtu në kërkim edhe për ngjarjen e ndodhur më 11 Nëntor 2019 ku 20-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër në fshatin Cangonj të Devollit Devoll, pasi kanë konstatuar se ishin vënë në ndjekje nga Policia, kanë braktisur mjetin tip “Volkswagen” brenda të cilit u gjetën 14 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Ndërsa personi i pestë i arrestuar është 20-vjeçari me iniciale A. V., i cili u kap në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 4 emigrantë të paligjshëm.  /tvklan.al