Zgjedhjet e kontestuara presdienciale të së dielës shkaktuan përleshje në disa qytete të Ekuadorit. Mbështetësit e kandidatit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Gilermo Lasso dolën në protesta pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Guajaquill, qyteti më i madh i vendit pas kryeqytetit Kuito njoftoi fitoren e kandidatit të majtë Lenin Moreno, me një diferencë të ngushtë 51 me 49%.

Por Gilermo Laso tha se rezultati ishte i manipuluar dhe kërkoi rinumërim të zgjedhjeve. Ai pretendoi fitoren, duke iu referuar edhe sondazheve parazgjedhore. Nëse rinumërohen votat dhe shpallet fitues pro-amerikani Laso, kjo i jep fund presidencës 10-vjeçare të të majtëve të Rafael Correas, linjën e të cilit do ta vazhdojë Lenin Moreno.

Gilermo Laso, bankieri 61-vjeçar ka premtuar rimëkëmbjen ekonomike të Ekuadorit, me thithjen e investimeve të munguara nga perëndimi, gjatë viteve të qeverisjes së të majtëve, të frymëzuar nga ideologjia anti-amrikane e Fidel Kastros. Laso premtoi dëbimin brenda 30 ditë të Xhulien Asanzhin themeluesit të Uikiliksit nga ambasada ekuadoriane në Londër. Sipas tij, ambasada nuk është rezidencë banimi dhe Asanzh, nuk mund të qëndronte atje përgjithmonë. Por tani që Komisioni Zgjedhor ekuadorian shpalli fitues rivalin e majtë, Asanzh iu kundërpërgjigj bankierit Laso, duke i bërë thirrje të largohej brenda 30 ditësh nga Ekuadori.