Dita e gjashtë e protestave kundër Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe në mbështetje të Ekrem Imamoglu, kryebashkiakut të burgosur të Stambollit.
Trazirat filluan të mërkurën e kaluar kur kryetari i Bashkisë së Stambollit, një kundërshtar i Presidentit Erdogan, u arrestua me akuzën e korrupsionit.
Imamoglu e kaloi natën në burg të dielën dhe thotë se akuzat janë të motivuara politikisht, diçka që Erdogan e mohon. Të hënën turmat e protestuesve u mblodhën sërish në Stamboll pavarësisht shtypjes nga policia.
Të hënën në mbrëmje turma e protestuesve u mblodh para policisë në rrugën drejt sheshit Taksim. Një tjetër turmë protestuesish marshoi drejt ndërtesës së bashkisë, ndërsa disa qindra bllokuan urën e Galatas dhe trafikun.
Policia këtu duke përdorur sprej me piper ndaj një protestuesi të veshur si dervish, imazh ky që ka bërë xhiron e botës e po identifikohet tani si simboli i rezistencës.
Presionin politik po e ndjen Presidenti Tajip Erdogan. Ai i quajti protestat në mbështetje të kryebashkiakut të burgosur të Stambollit një “lëvizje dhune” dhe kërcënoi partinë kryesore të opozitës se do të mbajë përgjegjësi për policët e plagosur dhe dëmtimin e pronës.
Duke folur pas një takimi të kabinetit në Ankara, Erdogan tha se Partia Popullore Republikane duhet të ndalojë “provokimin” e qytetarëve.
“Si çdo akt i luajtur pa besim, edhe spektakli i tyre do të përfundojë kur të mbyllet perdja. Në atë kohë kur të shohin pas dhe nëse do t’u mbetet sado pak respekt, besoj se do të turpërohen për të keqen që i kanë bërë vendit dhe popullit”.
Vetë Erdogan akuzohet për dobësimin e shtetit laik dhe institucioneve demokratike.
Pavarësisht ndalimit të tubimeve në rrugë në shumë qytete, demonstratat kryesisht paqësore antiqeveritare vazhduan duke sfiduar pushtetin e presidentit Erdogan dhe policinë.
Më herët, ministri i Brendshëm Ali Yerlikiaya akuzoi protestuesit për “terrorizëm” në rrugë dhe kërcënim të sigurisë kombëtare.
Ai tha se 1,133 vetë janë arrestuar gjatë ditëve të protestave, ndërsa 123 policë janë plagosur.
Partia Popullore Republikane e cilëson arrestimin e Imamoglusë si të motivuar politikisht dhe jodemokratik. Qeveria e Erdoganit i mohon këto pohime dhe thotë se gjykatat e Turqisë janë të pavarura.
Pavarësisht se në burg, Imamoglu u konfirmua zyrtarisht si kandidat i Partisë Popullore Republikane për president në zgjedhjet e ardhshme të planifikuara në vitin 2028.
Klan News