Përplasjet tragjike u shënuan në Tiranë dhe Durrës, drejtuesit e mjeteve shoqërohen nga policia

Tre aksidente të rënda janë regjistruar këtë të martë në rrugët e vendit, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Aksidenti tragjik ku një qytetar humbi jetën, ndodhi në Durrës. Drejtuesi i mjetit tip Benz ka përplasur një drejtues motoçiklete, i cili nuk ka mundur t’u mbijetoje plagëve të marra. Shoferi i makinës është shoqëruar në ambientet e Policisë.

Dy aksidentet e tjera të rënda, u shënuan në kryeqytet. Një grua u përplas nga një makinë në bulevardin Zhan Dark. E moshuara mbeti e plagosur ndërsa pas ndihmës mjekësore në vendngjarje u transportua nga ambulanca.

Ndërkohë një taksi përplasi në vijat e bardha një 73-vjeçar i cili po udhëtonte me biçiklete në rrugën “Mine Peza”. I moshuari është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shoferi i taksisë është shoqëruar nga policia rrugore, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Nisur nga situata e aksidenteve, policia njofton se ka ndëshkuar gjatë fundjavës 4666 drejtues automjetesh. Nga policia rrugore janë arrestuar 26 shoferë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa patentë, për shpejtësi dhe nën efektin e alkoolit. Masat e tjera janë vendosur për parakalim të gabuar, shpejtësi tej normave të lejuara dhe mos përdorimin e rripit të sigurimit.

Klan News