Grupi hetimor mes Policisë dhe Prokurorisë, nisur nga provat e grumbulluara ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se tre atentatet e ndodhura në Elbasan, nga muaj Shkurt deri tani, kanë lidhje me njëra tjetrën. Për këtë është kërkuar që oficerët e secilës ngjarje të bashkëpunojnë me njëri – tjetrin, në mënyrë që të dilet në një përfundim të përbashkët.

Pista kryesore e hetimit, për të tre ngjarjet është ajo e hakmarrjes mes dy grupeve.

Për atentatin e fundit, të datës 6 Qershor, janë marrë në pyetje dy miq të njohur të Saimir Beqirit, person ky që mbeti i vrarë me datën 11 Prill, gjatë një tjetër atentati.

Dy shtetasit, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, kanë dhënë shpjegime se nuk kanë asnjë dijeni, se kush ka qëlluar ndaj Bledar Muçës dhe Florenc Çapjajt, të hënën e 6 Qershorit.

Nga ana tjetër, grupi hetimor ka dyshime se vrasja e 51 – vjeçarit Saimir Beqiri, që është vëllai i Gentian Beqirit, i ekzekutuar nga persona ende të paidentifikuar, pas dënimit të dhënë nga gjykata si i përfshirë në vrasjen e Sokol Çapjajt, në 2005, të jetë bërë në shenjë hakmarrje, pas masakrën së tre Shkurtit, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe të plagosur 9 të tjerë.

Bilanci i tre atetateve është 4 persona të vrarë, 11 të plagosur dhe asnjë autor i ngjarjeve i kapur, apo identifikuar nga policia.

Kalvari i problemeve për fisin Çapja nuk ka të mbaruar, pasi 8 prej tyre u arrestuan me datën 8 Qershor, pasi qëlluan mbi policinë.

Tv Klan