Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Kanë vazhduar punën si ditët e tjera në Gjykatën e Faktit Tiranë, tre gjyqtarët e akuzuar mbrëm nga kryeprokurori Rakipi për mitmarrje, duke kërkuar ndjekje penale për ta Këshillit të Lartë të drejtësisë. Edhe pse një urdhër absurd i kryegjyqtarit të Tiranës Pajtim Hoxha, nuk lë asnjë kamera të kaloj portën e gjykatës duke shkelur një sër ligjesh që mbrojnë të drejtën e gazetarit. Sot ne kontaktuam me dy prej gjyqtarëve të akuzuar, Shyqyri Dylgjerin dhe Ridvan Shkëmbin që si zakonisht edhe sot po shqyrtonin disa çështje gjyqësore.

Sipas gjyqtarit Dylgjeri, i cili në vendimin përfundimtar liroi me kusht të pandehurin Adrian Lamaj të akuzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë, vendimi ishte i drejtë duke u bazuar në provat e mbledhura. Sipas Dylgjerit vetë presidenti Mejdani e ka amnistuar Lamajn duke i falur atij një vit e gjysmë pasi ai ishte kthyer vetë në burg pas trazirave të ’97. Gjithashtu mësohet se Adrian Lamaj ka ndihmuar policinë në betejën e famshme të Urës Vajgurore, duke marrë edhe një plagë zjarri në këmbë. Vetë prokurori i asaj çështje Dritan Alibaj nuk e ka kontestuar vendimin ditën e dhënies të tij.

Po sipas gjyqtarit Dylgjeri mund të jetë bërë edhe ndonjë gabim në identitetin e të pandehurit ku akuzohet dhe avokati I tij, por kjo nuk është detyrë e gjyqtarit ta vërtetoj atë.

Sipas gjyqtarëve Dylgjeri dhe Shkëmbi akuzat e kryeprokurorit Rakipi për shpërblimin nga i pandehuri janë gënjeshtra, për këtë kërkojnë ballafaqim dhe ti vihen në dispozicion kryeprokurorisë e cila nga ana e vetë nuk ka kërkuar një gjë të tillë./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj