Abigeila Voshtina është një violiniste shumë e talentuar e cila ja ka dedikuar jetën e saj artit. Së fundmi ajo është emëruar drejtoreshë e përgjithshme e TKOBAP, duke arritur kështu të plotësoj një ëndërr shumë të madhe. Mirëpo plotësimi i kësaj ëndrre erdhi në një kohë paksa delikate, pasi në kohën e konkursit ajo ishte gati për të lindur e për t’u bërë nënë për herë të parë.

E ftuar në emisionin “Rudina”  në Tv Klan ajo ka treguar se si i është dashur të sakrifikojë kohën me të voglin e saj për t’u kujdesur për detyrën e re. Sipas saj, po të mos kishte qenë për partnerin, ajo sigurisht nuk do të kishte mundur t’ja dilte, por ka qenë pikërisht ai shtysa që e ka ndihmuar të realizojë ëndrrën e saj. Abigeila rrëfen gjithashtu se ju desh të bënte vetëm tre javë leje lindje e të kthehej menjëherë në punë.

Rudina Magjistari: Ju jeni bërë nënë, kanë ardhur njëkohësisht dy gjëra të rëndësishme në jetën tuaj, si e keni  menaxhuar këtë periudhë dhe si ka ndryshuar jeta juaj tani që jeni bërë nënë?

Abigeila Voshtina: Ndjesia e parë ishte, besoj kush ka pasur fëmijë e kupton vetë se ç’është të kesh diçka mbi trupin tënd. Një sensacion i jashtëzakonshëm. Nuk ka sallë koncerti që kam prekur që tra krahasoj. Kush ka dashur të bëhet artistë dhe nuk është bërë me ardhjen e një fëmije ka krijuar më shumë se kaq.

Rudina Magjistari: Siç i themi gjithë artistëve krijues. Kushdo e provon këtë ndjesi kur sjell në jetë një qenie tjetër.

Abigeila Voshtina: Mendoj që fëmija është kryevepra e zotit dhe prindërve bashkë. Të mos kisha partnerin që kam, babain e Eneas, do ishte jashtëzakonisht e vështirë. Ju them me  sinqeritet, para se ta bëja konkursin nuk doja ta bëja, se unë do lindja. E kemi diskutuar këtë gjë dhe më tha nëse e ke ëndërr bëje. Ky ka qenë motivi me të cilin unë me besim jam futur në konkurs, ndryshe nuk do isha futur. Ai shpenzon më shumë kohë me djalin se sa unë. Kjo është e kuptueshme nga ditët e punës së teatrit, por unë kur kthehem mundohem ta jetoj 100% , ta shijoj, të shikoj se si buzëqesh, si i hap sytë, si i mban duart. Se fëmija në muajt e parë merr përmasa të jashtëzakonshme, çdo ditë ka një gjë të re që ti thua si ka mundësi që e bëri edhe këtë gjë. Mundohem ta jetoj 100% gjatë natës që bëj rolin e nënës dhe pasditeve. Mundohem që në fundjavë kur nuk ka shfaqje apo takime në teatër t’ja dedikoj familjes.

Rudina Magjistari: Gjithsesi puna ju ka detyruar të mos e bëni lejen e lindjes së plotë apo jo. Jeni kthyer menjëherë në punë. Nuk e di, sa shpejtë?

Abigeila Voshtina: Tre javë.

Rudina Magjistari: Tre javë dhe ne ju kemi parë në ekran duke marrë detyrën e re. Kështu që është një lloj sakrifice edhe kjo që bëhet për punën. Është momenti kur gjen ekuilibrat, sakrifikohet, pak këtu, pak atje.

Abigeila Voshtina: Jeta e çdonjërit prej nesh është bërë me sakrifica. Por në qoftë se ti je duke ndjekur një ëndërr apo një forcë të madhe që ti e di ku do të shkosh dhe pse do të shkosh aty dhe kjo është në benefitin e një shërbimi shumë të madh se ne jemi për publikun, është një përmasë shumë e madhe që ti i jep dikujt diçka./tvklan.al